Një 27-vjeçare me probleme të rënda të shëndetit mendor dyshohet se po shfrytëzohet seksualisht nga persona të ndryshëm, ndërsa pamjet intime të saj përdoren për ta vënë nën presion. Fiks Fare ka siguruar biseda dhe materiale ku figura të ndryshme i premtojnë para pas marrëdhënieve seksuale, si dhe pamje intime që sipas verifikimeve dyshohet të jenë regjistruar pa respektuar dinjitetin dhe vullnetin e saj.
Halla e 27-vjeçares ngre alarmin dhe thotë se i është drejtuar policisë, duke informuar edhe për problemet e shëndetit mendor të mbesës. Ajo përmend kushte të vështira ekonomike të familjes dhe ekspozim ndaj shfrytëzimit nga burra të lagjes, kryesisht të moshuar. Sipas hallas, deri tani nuk është gjetur një zgjidhje.
Fiks Fare vizitoi banesën ku vajza jeton me të atin e sëmurë; pamjet tregojnë kushte të rënda jetese. Babai thotë se vajza largohet çdo pasdite dhe kthehet në mëngjes, ndonëse ai nuk di se ku shkon dhe gjendja e tij shëndetësore ia vështirëson kujdesin për të bijën. Banorë të lagjes konfirmojnë se vajza largohet në orët e pasdites dhe se një burrë herë pas here vjen për ta marrë; disa përmendin sjellje problematike, por pranojnë se ajo ka probleme shëndetësore.
Nga bisedat dhe materialet e siguruara rezultojnë komunikime ku persona i premtojnë para pas akteve seksuale dhe ku shfaqen pamje intime të vajzës. Një komunikim me video tregon një person që e pyet vajzën ku ndodhet dhe i kërkon të kthejë kamerën për të parë nëse është e shoqëruar apo vetëm. Këto materiale, sipas Fiks Fare, ngrejnë dyshime që kërkojnë hetim të plotë nga organet kompetente për të përcaktuar rrethanat dhe personat e përfshirë dhe nëse vajza është viktimë e shfrytëzimit apo shantazhit.
Shërbimi social konfirmon se rasti është i njohur; punonjësi thotë se vajza është dërguar më parë në një qendër në Tiranë, por nuk ka qëndruar aty dhe është kthyer pasi kishte shfaqur sjellje agresive. Dokumentacioni konfirmon se trajtohet me KEMP, por se nuk ka një kujdestar. Fiks Fare i dorëzoi policisë bisedat dhe materialet, duke kërkuar verifikimin e tyre; deri në publikim nuk ka pranuar përgjigje nga policia.

