Myslimanët kanë nisur pelegrinazhin vjetor të Haxhit në Arabinë Saudite, ndërsa rajoni vijon të jetë i tronditur nga lufta midis SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Autoritetet saudite njoftuan se rreth 1.51 milionë pelegrinë kanë mbërritur tashmë nga jashtë mbretërisë, shifër më e lartë se vitin e kaluar, pavarësisht shqetësimeve për një rindezje të konfliktit tremujor. SHBA-ja ka kërcënuar me një ofensivë të ashpër ushtarake nëse Irani nuk bie dakord për të ndryshuar kursin lidhur me programin bërthamor dhe për të hapur Ngushticën e Hormuzit.
Para hyrjes në fuqi të një armëpushimi të brishtë muajin e kaluar, Irani ndërmori valë sulmesh me raketa dhe dronë ndaj Arabisë Saudite dhe vendeve fqinje të Gjirit, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite. Javën e kaluar Ministria saudite e Mbrojtjes publikoi një video me bateri të mbrojtjes anti-ajrore në periferinë e Mekës, duke njoftuar se “forcat ajrore ishin në gatishmëri për mbrojtjen e vendeve të shenjta, duke garantuar sigurinë dhe qetësinë e pelegrinëve”.
Disa pelegrinë shprehën shpresën që SHBA-ja dhe Irani të arrijnë një marrëveshje paqeje, ndërsa të tjerë u shfaqën mirënjohës që arritën të udhëtonin drejt Arabisë Saudite pasi kanë kaluar muaj pasigurie, ndërprerjesh të trafikut ajror dhe rritjeje të kostove të udhëtimit. Një pelegrin tha: “Lufta në Iran ka ndikuar në gjithë botën. Askush nuk dëshiron luftëra apo dëme të mëdha për vendet dhe popujt”. Një tjetër tha: “Kam dashur ta kryej pelegrinazhin gjatë gjithë jetës sime. Kam 40 apo 50 vjet që e mendoj. Këtë vit, ëndrra ime u bë realitet”.
Haxhi zhvillohet në muajin e 12-të të kalendarit hënor islamik dhe është një nga pesë shtyllat e Islamit; çdo mysliman i rritur pritet ta kryejë të paktën njëherë në jetë, nëse ka mundesi financiare dhe është i aftë fizikisht. Në ditën e parë të Haxhit, pelegrinët u përballën me temperatura deri në 45°C kur vizituan Xhaminë e Madhe të Mekës dhe kryen shtatë ecjet rreth Qabes. Më pas udhëtuan drejt Mina, rreth pesë kilometra larg, ku kaluan natën në çadra përpara ngritjes drejt Malit Arafat, ku besohet se Profeti Muhamedi mbajti predikimin e tij të fundit; dita e lutjeve aty konsiderohet kulmi i Haxhit.

