TIRANË- Sanca e radhës për dosjen “Plumbi i Artë” po zhvillohet ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme. Bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka vijuar dëshminë e tij, duke zbuluar detaje të reja për porositë për vrasje, bashkëpunëtorët dhe mënyrën e komunikimit mes anëtarëve të grupeve kriminale.
Gjatë deklaratës së tij Nuredin Dumani përmendi komunikimin me Erjon Alibejn, edhe pas arrestimit të këtij të fundit. Ai tha se Alibej u mbajt fillimisht në paraburgimin e Elbasanit, ku kishte akses në aplikacionin e koduar Sky ECC, por më pas, pas transferimit në një tjetër burg, komunikimi u ndërpre.
Gjithashti Dumani deklaroi se kishte marrë porosi për vrasjen e Lulzim Mashës, të cilën ia përcolli Henrik Hoxhajt përmes telefonit. Por sipas tij porosia ishte marrë nga Suel Çela, me të cilin e kishte lidhur miku i tij në Durrës, Fatmir Troplini.
“Henrikut i ofrova 160 mijë euro, i dhashë 10 mijë kapar. 10 mijë të tjera, më duket, i mbajta për vete,” deklaroi ai. Me suel Çelën më ka lidhur një miku im në Durrës, Fatmir Troplini, pasi Sueli çonte Xhino Rrokën të merrte mall tek këta”, tha Dumani.
Po ashtu Dumani zbuloi se pseudonimet e tij në platformat e komunikimit të koduar si Sky ECC dhe Matrix kanë qenë “Alkatraz”, “Covid 19” dhe “Toto Rino”, ndërsa Henrik Hoxhaj përdorte pseudonimin “Baftjari”.
Nga ana tjetër, Henrik Hoxhaj ka konfirmuar se ishte marrë porosi për vrasjen e djalit të Lulzim Mashës, por meqenëse ai nuk u gjend, vendosën të godasin të atin.
“E gjithë komunikata është në telefon. Djali nuk po vinte, ishte në Maqedoni. E ndiqnim përmes Aleksandër Bahos, të cilin e njihnim si ‘Sakati’. Kur të vinte djali, do të bëhej goditja. Ai kishte 200 mijë euro me vete, ndërsa Baho do merrte 70% të shumës,” tha Hoxhaj.
Ai shtoi se kishin pritur gati një vit për të realizuar atentatin, por për shkak të mungesës së djalit, vendosën të kryenin atentatin ndaj Lulzim Mashës. Ndërsa Dumani në një tjetër moment të dëshmisë, tha se nuk i kujtohej që porosia të kishte qenë për djalin e Mashës, por sipas tij, kishte marrë përsipër që të kryente atentatin ndaj vetë Lulzim Mashës, në bazë të marrëveshjes me Suel Çelën.
Po ashtu seanca u shoqërua me tensione dhe përplasje verbale mes Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt, këtij të fundit i është hequr zyrtarisht statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë. Përplasja nisi gjatë diskutimit për porositë dhe urdhrat e marra në kuadër të grupeve kriminale, ku Henrik Hoxhaj akuzoi Dumanin se po përpiqet të minimizojë rolin e tij në vrasjet e planifikuara.
Dumani, nga ana e tij, reagoi menjëherë, duke iu drejtuar me ironi: “Nuk më ke dhënë asnjëherë urdhra, çfarë po bën këtu si kapiten Rramiu?! Të është dhënë një punë, ajo merret dhe bëhet, ose nuk pranohet fare.”
Në vijim të dëshmisë së tij, Nuredin Dumani rrëfeu se vendodhjen e tij në Fier kur u arrestua e zbuloi Suel Çela.
“Kur u plagosa, Sueli më tha ‘do të sjell doktorin’, pastaj mori këtë me vete (i referohet Henrik Hoxhajt). Më tha ‘hajt se do ta shofim’. Telefoni me të cilin kam folur me Suelin ndodhet në prokurori dhe polici,” deklaroi Dumani para trupit gjykues.