Biblioteka e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë mori emrin Ismail Kadare, si hapësira që përfaqëson kujtimin e shkrimtarit në mjediset e fakultetit të tij. Ceremonia-homazh me titull “Gjithkush Kadarenë e vet” u mbajt në përkujtim të dyvjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit.
Helena Kadare vlerësoi ambientet e fakultetit, duke thënë: “Këto korridore janë vendi ku unë kam studiuar, ashtu sikurse Kadare. Gjithçka është shumë bukur, lum ata që do të vijnë në këtë bibliotekë kaq të pasur që do të mbajë emrin e Kadaresë që për fat të mirë, rinia e nderon”. Mark Marku theksoi se emri është i denjë për hapësirën ku zhvillohet dija dhe mendimi kritik: “Ky emër do t’u kujtojë brezave të ardhshëm se dija dhe letërsia janë themelet më të forta të identitetit tonë kulturor”.
Gresa Kadare, vajza e shkrimtarit, rrëfeu kujtime personale: “Më pëlqen të mendoj se Ismaili bashkë me personazhet e tij, hera herës shëtis dhe endet në këtë bibliotekë, në raftet e saj, sikurse e mbaj mend të vërtitej ndër vite në bibliotekën e Rrugës së Dibrës apo në bibliotekën që frekuentonte në Paris”. Personalitete të letrave dhe jetës akademike rikthyen takimet e para me veprat e Kadaresë, që sipas tyre u bënë urë mes përvojave personale dhe kujtesës kolektive.
Persida Asllani e përshkroi largimin si një “trill letrar”: “Ky largim i ngjan më tepër një trilli letrar sepse jeta e vërtetë e shkrimtarëve, është jeta e letërsisë. Aty ku ne e rigjejmë Kadarenë sa herë e lexojmë”. Artan Fuga kujtoi ndikimin e librit “Dimri i vetmisë së madhe” mbi të rinjtë: “Si unë, si një 18-vjeçar, përjetova momentin kur doli ‘Dimri i vetmisë së madhe’. Nxënësit e shkollave të mesme të Tiranës e morën si ujë të pakët. Me atë libër u fut në krizë ora e mësimit të letërsisë, shkaktoi një ndarje të madhe në shoqëri”.
Studiuesit vlerësuan rolin e Kadaresë në ngritjen e estetikës letrare në Shqipëri. Doruntina Siliqi, mbesa, kujtoi momentet intime me të: “Më rastiste të mendoja se ajo butësi ishte në secret që e ndanim vetëm ne të dy… pastaj sytë tanë takoheshin dhe shkëmbenim një buzëqeshje kuptimplotë”.
Në ditën përkujtimore u botuan tre krijime të Kadaresë që më parë nuk ishin botuar si libër më vete. Bujar Hudhri komentoi: “E bëra me qëllim që lexuesi të lexojë këto libra. Një libër i palexuar është një libër i ri”. Botuesi e përshkroi këtë hap si akt mirënjohjeje ndaj autorit dhe përgjegjësi ndaj lexuesve që vazhdojnë ta rizbulojnë Kadarenë.

