Gjatë seancës plenare të Parlamentit Evropian mbi të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, eurodeputeti Andreas Schieder vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar vendin si një nga kandidatët më të avancuar. Ai tha se Shqipëria tashmë ka “një këmbë në kampin evropian” dhe nënvizoi mbështetjen e gjerë publike dhe politike për integrimin, duke vënë në dukje se mbi 90 për qind e qytetarëve shqiptarë mbështesin anëtarësimin. Schieder e konsideroi objektivin për të përfunduar negociatat deri në fund të vitit 2026 si një perspektivë realiste.
Eurodeputeti theksoi se hapja e të gjitha grupkapitujve të negociatave brenda 13 muajve tregon vullnet politik për të çuar përpara reformat: “Shqipëria ka treguar një angazhim të jashtëzakonshëm ndaj modelit të Bashkimit Evropian. Hapja e të gjitha grupkapitujve të negociatave brenda 13 muajve dëshmon vullnetin politik për të çuar përpara reformat”, deklaroi ai. Schieder vlerësoi gjithashtu përparimin në luftën kundër korrupsionit dhe miratimin e legjislacionit për mbrojtjen e sinjalizuesve, duke theksuar se procesi i anëtarësimit duhet të sjellë përmirësime konkrete në jetën e qytetarëve dhe të mos perceptohet thjesht si një procedurë teknike.
Një pjesë e fjalës së tij iu kushtua turizmit të qëndrueshëm, që sipas tij është diskutuar gjerësisht në Shqipëri. “Turizmi i qëndrueshëm është e vetmja rrugë përpara. Turizmi krijon vende pune dhe rritje ekonomike,” tha Schieder, dhe shtoi se vendi duhet të vazhdojë të zbatojë këto standarde për të mos rrezikuar progresin në procesin e integrimit.
Duke folur për sfidat e ardhshme, ai theksoi se zgjerimi nënkupton mbi të gjitha zbatimin e reformave afatgjata që forcojnë shtetin e së drejtës, rrisin drejtësinë sociale dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve. Si raportues dhe njohës i zhvillimeve në vend, Schieder tha se gjatë vizitave të shumta ka vërejtur një nivel të lartë optimizmi dhe angazhimi nga institucionet, shoqëria civile dhe qytetarët. “Shqipëria dhe qytetarët e saj po punojnë së bashku për të arritur këto objektiva. Kjo është arsyeja pse jam i bindur se Shqipëria mund të jetë historia e ardhshme e suksesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian,” përfundoi ai.

