Parashikuesit europianë kanë lëshuar paralajmërime për mot të ashpër në një pjesë të madhe të Europës, duke ngritur Nivelin 2 të rrezikut për Italinë juglindore, Detin Jon dhe zonat përreth për shkak të mundësisë së breshërit shumë të madh, erërave shkatërruese, reshjeve intensive dhe tornadove të izoluara, veçanërisht në zonat bregdetare. Sipas parashikimit, gjatë mbrëmjes dhe natës pritet zhvillim i një sistemi të fuqishëm stuhish mbi Italinë Qendrore dhe Adriatikun, i cili më pas do të zhvendoset drejt jugut, duke goditur rrethin e Pulias dhe brigjet lindore të Detit Jon, përfshirë edhe brigjet jugperëndimore të Shqipërisë dhe perëndimin e Greqisë.
Meteorologët paralajmërojnë për erëra me intensitet shkatërrues, breshër shumë të madh, reshje të dendura dhe, në raste të izoluara, tornado. Ata theksojnë se nëse një superqelizë stuhie kalon pranë bregdetit, ekziston mundësia e formimit të një tornadoje të fortë. Niveli 1 i rrezikut është shpallur për Slloveninë dhe Kroacinë, ku priten breshër, erëra të forta dhe reshje intensive. I njëjti nivel paralajmërimi vlen për Italinë verilindore dhe Adriatikun verior, ku nuk përjashtohet mundësia e tornadove të izoluara në zonat bregdetare.
Paralajmërime të tjera janë lëshuar për pjesë të Spanjës lindore, ku pritet breshër i madh dhe erëra të fuqishme, si dhe për Rusinë jugperëndimore. Sinoptikanët shpjegojnë se situata atmosferike në Europë mbetet e favorshme për zhvillimin e fenomeneve ekstreme për shkak të ndërveprimit mes masave të nxehta dhe shumë të lagështa të ajrit me një luginë të thellë atmosferike që po lëviz nga Europa Qendrore drejt Mesdheut.
Në zonën e Detit Jon, temperaturat e sipërfaqes së detit janë rreth 4–5 gradë Celsius mbi normalen, faktor që favorizon zhvillimin e stuhive të fuqishme. Parashikuesit nënvizojnë se monitorimi i situatës në kohë reale do të jetë vendimtar, pasi vendndodhja dhe intensiteti i stuhive mund të ndryshojnë me shpejtësi. (Top Channel)

