Policia greke ka zbardhur vrasjen e 52-vjeçarit Nikos Gavanozis, e ndodhur më 10 tetor në Glifadha të Athinës. Në pranga ra një 48-vjeçar grek, ndërsa autoritetet kanë shpallur në kërkim 48-vjeçarin shqiptar Eduart Qendrothanasi, i njohur edhe si Stamatis Qendrothanasi nga Saranda, i cili rezulton i kërkuar më parë për një grabitje të armatosur më 27 korrik 2023 në një pikë postare “ELTA” në Mesinia.
Sipas policisë, dy të dyshuarit udhëtonin me motor kur i afrohen viktimës, e cila po lëvizte po ashtu me motor; njëri prej tyre qëlloi disa herë, gjë që shkaktoi humbjen e kontrollit dhe rënien e tij në rrugë. Autorët u kthyen në vendngjarje dhe qëlluan përsëri para ikjes. Në vendin e ngjarjes u sekuestruan 10 gëzhoja, ndërsa autopsia konfirmoi se vdekja erdhi nga plagët e shumta të shkaktuara nga armët e zjarrit.
Hetimi tregoi se autorët përdorën motor për të ardhur dhe për t’u larguar; pas kryerjes së vrasjes shkolluan në Keratea, ku parkuan motorin në një shtëpi të izoluar. Aty i priste i arrestuari 48-vjeçar, i cili i transportoi me makinë në një zonë tjetër të Athinës. Nga analiza e provave dhe materialit hetimor u identifikua Eduart Qendrothanasi si drejtuesi i motorit.
Gjatë kontrolleve në banesa u gjet motori i përdorur i çmontuar dhe i fshehur, një makinë private ku u gjetën pjesë të të njëjtës motoçikletë dhe prova dixhitale, si dhe një helmetë që dyshohet se i përket shoferit të autorëve. I arrestuari ka pasur më parë akuza për vepra që lidhen me mbështetjen e aktiviteteve të një organizate kriminale dhe ndaj tij ishin vendosur kushte kufizuese; pas deklarimit para oficerit hetues u konsiderua i paraburgosur.
Viktima Nikos Gavanozis, i njohur si “Papagalli”, kishte histori kriminale: arrestime për pjesëmarrje në rrjete që shisnin “mbrojtje” për klube nate dhe figura të natës; arrestim në korrik 2024 për incidente jashtë stadiumit “Alexandras” që përfunduan me dy të plagosur nga të shtëna dhe një tjetër i dërguar në spital; dhe arrestime të mëparshme në 2021, 2018 dhe 2015 lidhur me sulme me armë, sekuestrime arme dhe pjesëmarrje në grupe që shantazhonin pronarë dyqanesh.

