Është arrestuar në Itali një tjetër person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare. Bëhet fjalë për 37-vjeçarin Aldo (Aleksander) Baho, nga Elbasani, i dyshuar si pjesë e një grupi kriminal dhe për ndërmjetësim në një vrasje të mbetur në tentativë. Ai u kap në Asti në kuadër të operacionit “The Wanted”, ndërsa vijojnë procedurat për ekstradimin e tij në Shqipëri.
Aleksandër Baho është personazh i njohur për policinë shqiptare dhe atë të Italisë. Më 13 shkurt 2016 ai ka rënë pre e një atentati të mirë-organizuar në Itali, pas të cilit ka mbetur me pasoja të rënda shëndetësore dhe konsiderohet sot një person me aftësi të kufizuara. Baho ka qenë më parë i ndaluar edhe në Shqipëri, i dyshuar për një sërë veprash penale, përfshirë edhe vrasje.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, kapja u finalizua si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe të vazhdueshëm ndërmjet specialistëve të Sektorit për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Departamentin e Policisë Kriminale, dhe shërbimeve të Guardia di Finanza në Pisa. I kapur në Asti me qëllim ekstradimin në Shqipëri është shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar A.(A.) B., 37 vjeç, lindur në Elbasan.
Më datë 29.09.2026, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO) i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale: “Vrasja” e mbetur në tentativë, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”; “Grupi i strukturuar kriminal”; dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.
Policia thekson se në vitin 2022 Baho dyshohet se, në kuadër të grupit kriminal ku bënte pjesë, ka ndërmjetësuar për vrasjen e shtetasit L. M., krim që mbeti në tentativë. Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës për finalizimin e procedurës për ekstradimin e tij në Shqipëri.

