Fluksi i emigracionit të paligjshëm drejt Bashkimit Europian ka shënuar një rënie të ndjeshme gjatë katër muajve të parë të vitit, sipas të dhënave të Agjencisë Europiane për Mbrojtjen e Kufijve, Frontex. Nga janari deri në fund të prillit numri i hyrjeve të parregullta zbriti me rreth 40% në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë, duke arritur në rreth 29.000 persona — niveli më i ulët në vitet e fundit. Gjatë vitit 2023 ky numër ishte trefish më i lartë.
Rruga kryesore e hyrjes mbetet ajo e Mesdheut me pikenisje në Libinë dhe mbërritje në bregdetin italian. Pas saj vjen rruga e Mesdheut Lindor, përmes Turqisë drejt Greqisë dhe Qipros. Të dyja këto itinerare përbëjnë secila afërsisht një të tretën e të gjitha hyrjeve të parregullta në BE.
Frontex lidh këtë rënie me bashkëpunimin me vendet partnere, veçanërisht me shtetet e bregdetit të Afrikës së Veriut. Sipas agjencisë, në këmbim të fondeve të Bashkimit Europian këto vende po pengojnë largimin e emigrantëve drejt Europës dhe po godasin rrjetet e trafikantëve. Po ashtu, kushtet e vështira të motit në fillim të vitit duket se kanë penguar disa njerëz nga ndërmarrja e udhëtimeve të rrezikshme drejt Europës.
Megjithatë, Frontex dhe organizata të tjera paralajmërojnë se numri i viktimave në det mbetet i lartë. Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) tregojnë se deri tani këtë vit më shumë se 1.200 njerëz kanë humbur jetën në Mesdhe. Kjo shifër nënvizon se, edhe me rënien e hyrjeve të parregullta, rreziqet dhe humbjet e jetëve në rrugët detare vazhdojnë të jenë të konsiderueshme.
Të dhënat për këtë trend vijnë nga raportimet e Frontex për katërmujorin e parë të vitit dhe shërbejnë si pasqyrë e ndryshimeve aktuale në migracionin e paligjshëm drejt BE-së. Top Channel.

