Eliminimi i Algjerisë në fazën e dytë të Kupës së Botës nga Zvicra ka nxitur përfundimin e shpejtë të aventurës së Vladimir Petković si trajner i përfaqësueses algjeriane. Sipas raportimeve të Agjencisë ANSA, të cilat citojnë burime zyrtare në Algjer, Federata Algjeriane e Futbollit po përgatitet ta shkarkojë trajnerin zvicerano-boshnjak pas paraqitjes së dobët të skuadrës në turne.
Federata pritet të aktivizojë klauzolën e parashikuar në kontratën e Petković, e cila parashikon një dëmshpërblim prej dy pagash mujore në rast ndërprerjeje të parakohshme. Kjo masë do të zbatohet pavarësisht rinovimit të marrëveshjes së firmosur pak ditë para fillimit të Botërorit, që e lidhte trajnerin me detyrën deri në vitin 2028. Vendimi erdhi pas kritikave të shumta ndaj menaxhimit teknik të ekipit dhe pas paraqitjes së dobët në ndeshjen kundër Zvicrës.
Burimet lokale bëjnë me dije se Petković pritet të dorëzojë në orët e ardhshme një raport të detajuar mbi paraqitjen e Algjerisë në Botëror. Pas marrjes së këtij raporti, shkarkimi i tij do të formalizohet. Federata algjeriane po planifikon gjithashtu të nisë menjëherë konsultimet për emërimin e një trajneri të ri, me synimin e hapjes së një cikli të ri për ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare.
Rinovimi i kontratës, i firmosur pak para fillimit të turneut, e kishte ngritur Petkovićin në pozicionin e trajnerit më të paguar në kontinentin afrikan, me një pagë rreth 160,000 euro në muaj. Ky fakt kishte shkaktuar kritika të ashpra në mediat lokale edhe para nisjes së Kupës së Botës. Në kushte të tilla, vendimi për ndarjen e shpejtë të rrugëve me trajnerin pas eliminimit nga Zvicra shihen si masë që synon nisjen e një faze të re për ekipin kombëtar. Top Channel.

