Policia e Tiranës ka zbardhur një ngjarje të rëndë, e ndodhur mëngjesin e 10 marsit, në rrugën “Vasil Ndoçka”, ku një sasi lënde plasëse shpërtheu në një automjet në pronësi të O. K., duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Pas këtij incidenti, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 e vunë në pranga një grup prej 7 personash, të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, të cilët kanë precedentë penalë. Gjatë operacionit, policia sekuestruar prova materiale, përfshirë biçikletën e përdorur për krimin, rrobat e autorit, automjetet e dyshuarve dhe aparate celularë.
Pas shpërthimit, një grup hetimor u ngrit menjëherë dhe, përmes administrimit të provave dhe verifikimit të kamerave të sigurisë, arriti të identifikojë autorët e dyshuar. Katër prej tyre, J. G. (32 vjeç), R. B. (25 vjeç), K. A. (24 vjeç) dhe E. L. (27 vjeç), u ndaluan për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv” në bashkëpunim. Ndërsa G. K. (29 vjeç), D. H. (34 vjeç) dhe G. M. (19 vjeç) u ndaluan për “Përkrahja e autorit të krimit”.
Po ashtu, u ndalua edhe S. N. (33 vjeç), i cili ndodhet në IEVP Fushë-Krujë, si dyshuar për porositjen e vendosjes së eksplozivit. Hetimet tregojnë se J. G. dyshohet se ka vendosur dhe aktivizuar lëndën plasëse, duke u ndihmuar nga K. A., R. B. dhe E. L., të cilët i siguruan informacionin për vendndodhjen e automjetit dhe lëndën eksplozive.
Të ndaluarit e tjerë dyshohet se kanë transportuar autorin e vendosjes së eksplozivit ditën e incidentit. Materialet procedurale janë dërguar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore.















