Klubi turk i Trabzonspor ka vendosur të ushtrojë opsionin e blerjes për sulmuesin shqiptar Ernest Muçi, duke arritur marrëveshjen përfundimtare me Beşiktaş në vlerën e 8.5 milionë eurove.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se pas disa ditësh negociata intensive dhe diskutimesh mes palëve, drejtuesit e Trabzonsporit vendosën të mos humbasin afatin për aktivizimin e klauzolës së blerjes së kartonit të Muçit. Marrëveshja është mbyllur dhe shuma prej 8.5 milionë eurosh do të paguhet me pesë këste.
Sulmuesi shqiptar ishte huazuar sezonin e fundit nga Beşiktaşi te Trabzonspori dhe arriti të shpërthejë me paraqitjet e tij. Muçi realizoi 14 gola gjatë sezonit, duke u kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm dhe më të spikatur të skuadrës së Trabzonit.
Forma e tij e shkëlqyer bëri që drejtuesit e Trabzonsporit të bindeshin për investimin përfundimtar, duke e konsideruar Muçin si një nga projektet kryesore të klubit për sezonet e ardhshme.
Me këtë transferim, Ernest Muçi konfirmon rritjen e tij në futbollin turk dhe vazhdon të mbetet një nga futbollistët shqiptarë më të vlerësuar në arenën ndërkombëtare.

