Gjashtë ditë pas deportimit nga Shtetet e Bashkuara nga marshallë të ambasadës amerikane dhe agjencia policore federale ICE, Sokol Hoxha i është drejtuar gjykatës së Fierit me kërkesë për lirimin nga paraburgimi. Burime shumë të sigurta për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, thanë se i dënuari në Shqipëri për vrasjen e vëllezërve Ilirjan dhe Hektor Banaj ka bërë kërkesën përmes avokatëve, duke argumentuar se vendimi kundër tij është i parashkruar, pasi ka qenë në arrati më shumë se 25 vjet. Sipas burimeve, është hedhur shorti dhe çështja do të shqyrtohet në datën 16 shtator në gjykatën e Fierit.
Sokol Hoxha, i sjellë në Shqipëri pas një hetimi ndërkombëtar që zbuloi se ai po fshihej në disa shtete, kërkohet edhe në Belgjikë për vrasjen e Brunilda Dervishit. Autoritetet belge nuk dorëzuan kërkesë për ekstradim ndaj tij. Pas një arratie që nisi në 1997, Hoxha u zbulua në SHBA nën identitet kosovar. Aktualisht ai mbahet në paraburgimin 313; komunikimin e vendimit shqiptar e ka bërë një oficer i policisë gjyqësore, ndërsa prokuroria e përgjithshme ka njoftuar autoritetet belge dhe ka sugjeruar që dënimi me burgim të përjetshëm për vrasjen e Dervishit të vuajë në Shqipëri.
Në dosjen belge, e cila u vu në dispozicion të gazetares së Top Channel, përmendet se Brunilda Dervishi u martua në Elbasan me Hoxhën një muaj para se të vritej. Çifti udhëtuan drejt Belgjikës, dhe në gusht 1997, një ditë para vrasjes, viktima telefonoi prindërit duke shprehur frikën se bashkëshorti donte ta vriste. Më pas, prindërit u telefonuan edhe nga Hoxha që kërkoi adresën e vajzës. Nga përshkrimi i ngjarjes rezulton se autori e gjeti viktimën në lokalin “Ship shops” në Bruksel dhe e qëlloi me armë zjarri, ndërsa ajo ishte nën shoqërinë e një shqiptari tjetër.
Autoritetet identifikuan Hoxhën përmes numrit të telefonit me të cilin komunikoi me prindërit e Brunildës; ky numër i përkiste një shtetaseje shqiptare me inicialet A.Z., e përfshirë në prostitucion në Bruksel. Gjatë kontrollit të banesës së saj, nga e cila dyshohet se ka dalë drejt Britanisë me identitet të rremë, u gjet një dokument identifikimi grek me foton e të dyshuarit.

