Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ekstraduar drejt Shqipërisë Sokol Hoxhën, personin e akuzuar për një vrasje të trefishtë, i cili për rreth 30 vite i ishte shmangur drejtësisë. Hoxha, i arrestuar disa muaj më parë në SHBA, tani do të përballet me drejtësinë shqiptare për një nga ngjarjet më të rënda kriminale të vitit 1997, vrasjen e dy vëllezërve Ilirjan dhe Hektor Banaj në Patos.
Ngjarja ndodhi më 30 mars 1997. Sipas dosjes që disponon gazetarja Anila Hoxha, konflikti nisi pas një debati për një kasetofon makine. Ilirjan Banaj kishte pasur përplasje me Ervin Sulollarin për shkak të kasetofonit; në këtë debat ishte i pranishëm edhe Sokol Hoxha, i cili ndërhyri duke goditur me pëllëmbë të dy personat. Më vonë Ilirjan ka dalë me automjetin e tij dhe, sipas dosjes, ka qëlluar me armë në ajër në një rrugë të Patosit.
Dritan Selimi, i cili dyshohet të ketë marrë vesh për ngjarjen dhe është nipi i Sokol Hoxhës, njoftoi Sokolin. Aktet e gjykimit tregojnë se Sokol Hoxha dhe Dritan Selimi u armatosën me pistoletë dhe automatik dhe dolën në kërkim të Ilirjan Banajt. Në zonën e tregut të fruta-perimeve pranë stacionit të autobusëve, dy vëllezërit Banaj u përballën me një fuoristradë pa targa ku udhëtonin Sokol Hoxha, Dritan Selimi dhe Ervin Sulollari. Pas një debati të shkurtër, Hoxha nxori armën dhe qëlloi ndaj Ilirjan Banajt; kur Hektori u përpoq ta ndalonte, edhe ai u qëllua. Në dosje thuhet se Dritan Selimi përdori automatikun ndaj Hektor Banajt, ndërsa edhe Sokol Hoxha qëlloi në drejtim të tij. Pas sulmit autorët u larguan me automjet.
Dëshmitari Leonard Rrapaj deklaroi se pa dy persona të largoheshin me fuoristradë pa targa duke mbajtur armë zjarri. Ekspertizat mjeko-ligjore dokumentuan 11 plagë nga armë zjarri në trupin e Ilirjan Banajt dhe 4 plagë të rënda te Hektor Banaj, me dëmtime në organe jetësore. Gjykata ka konstatuar se Sokol Hoxha dhe Dritan Selimi kryen vrasjen në bashkëpunim dhe i ka shpallur fajtorë. Në dosje theksohet se rëndojnë mënyra e kryerjes, përdorimi i armëve dhe fakti që autorët u larguan nga vendi i ngjarjes dhe iu shmangën drejtësisë për vite.
Përveç çështjes në Shqipëri, Sokol Hoxha është dënuar me burgim të përjetshëm në Belgjikë për vrasjen e Brunilda Dervishit. Pas arrestimit në SHBA, autoritetet shqiptare kanë nisur komunikimet me palën belge për transferimin e çështjes. Autoritetet britanike i kanë revokuar pasaportën britanike që Hoxha kishte marrë rreth viteve 2000 me identitetin Hysen Gashi, emër me të cilin ai ka hyrë më pas edhe në SHBA.

