Kryetari i PD Sali Berisha është njoftuar sot në mëngjes nga znj. Nancy van Horn, ambasadore në detyrë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për heqjen e statusit “non grata” ndaj tij thanë burime nga PD për portalin Timoni.al
Ky vendim shënon një zhvillim të rëndësishëm, pasi Berisha u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit më 19 maj 2021, me argumentin se ishte përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm gjatë ushtrimit të funksioneve publike. Vendimi i asaj kohe përfshinte edhe anëtarë të ngushtë të familjes së tij.
Që prej asaj dite, Berisha i ka kundërshtuar vazhdimisht akuzat, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe të motivuara politikisht. Heqja e statusit, nëse konfirmohet zyrtarisht, do të përbënte një zhvillim me ndikim të rëndësishëm politik, jo vetëm për vetë Berishën, por edhe për skenën politike shqiptare.
Sipas informacionit të bërë publik, vendimi pritet të shpallet zyrtarisht gjatë ditës së sotme nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së në një konferencë për shtyp.
Mbetet të priten detajet dhe sqarimet zyrtare nga autoritetet amerikane lidhur me arsyet dhe procedurën e këtij vendimi.

