Egnatia vazhdoi seriën pozitive në kampionat, duke fituar 2-1 ndaj Skënderbeut në Rrogozhinë dhe regjistruar fitoren e tretë radhazi, teksa ruajti kreun e renditjes. Ndeshja u ndez herët, kur në minutën e 14-të Albanese zhbllokoi sfidën dhe i dha avantazhin vendasve.
Skënderbeu reagoi dhe arriti të barazojë në minutën e 34-t: pas ndërhyrjes së VAR-it u akordua penallti dhe Nasr e shfrytëzoi nga pika e bardhë, duke vendosur shifrat 1-1. Pjesa e dytë ishte e luftuar dhe e hapur; të dyja skuadrat kërkonin golin e avantazhit. Egnatia pati disa tentativa për të fituar një tjetër 11-metërsh, ndërsa Skënderbeu rrezikoi portën e Dajsinanit në përpjekje për të marrë përsëri kontrollin.
Në pjesën e fundit të takimit vendasit gjetën golin e fitores kur Albanese shërbeu për Loukili, i cili me kokë dërgoi topin në rrjetë. Goli u verifikua nga sistemi VAR për një pozicion të mundshëm jashtë loje, por më pas u konfirmua. Në minutat e mbetura, Skënderbeu nuk arriti të reagojë dhe nuk gjeti mënyrën për të barazuar, ndërsa Egnatia siguronte tre pikët.
Me këtë rezultat, skuadra e drejtuar nga Nevil Dede regjistron fitoren e tretë radhazi në kampionat dhe konsolidon pozitat në krye të renditjes, duke i dhënë vazhdimësi paraqitjeve që synojnë mbrojtjen e titullit kampion.
Kategoria Superiore, Java 3
Egnatia-Skënderbeu 2-1
Albanese 14’, Loukili 85’ / Nasr 34’

