Fytyra e sulmuesit norvegjez Erling Haaland, e cila u bë fenomen në rrjetet sociale pas shënimit të shtatë golave në Botërorin 2026, është shfaqur në mënyrë të papritur në paketat e një ngarkese kokaine të sekuestruar në Ekuador. Policia ekuadoriane njofton se imazhi i Haaland ishte ngjitur në paketa drejtkëndore me ngjyrë jeshile, pjesë e një ngarkese droge që u kap në një kamion në kufi me Kolumbinë.
Sipas policisë, në total u sekuestruan 460 kilogramë kokainë. Operacioni u zhvillua në Rrugën Panamerikane pas një denoncimi anonim në mëngjesin e së martës, kur agjentët vunë re një kamion të dyshimtë. Pas regjistrimit të automjetit, u gjetën 370 paketa të fshehura në një dysheme të dyfishtë të kamionit. Policia publikoi një video ku shfaqeshin paketat që binin në tokë dhe dukeshin qartë fotot e Haaland të ngjitura mbi to. Shoferi i kamionit u arrestua, por sipas njoftimit nuk dha shpjegime për praninë e imazhit të futbollistit të Manchester City.
Komunikata për shtyp thekson se përdorimi i figurave të njohura sportive është një praktikë e zakonshme nga narkotrafikantët, si mënyrë për të treguar se cili rrjet kriminal prodhoi mallin dhe për cilin klient i përket ngarkesa e drogës. Përveç Haaland, raportohet se edhe imazhi i Lionel Messit është përdorur më parë në paketa droge.
Ekuadori përmendet në njoftim si një qendër logjistike e trafikut të drogës, ku preparohen ngarkesat kryesisht për trafikun drejt Shteteve të Bashkuara, ndërsa dërgesa të tjera shkojnë edhe për Evropën. Policia vazhdon hetimet lidhur me ngarkesën e sekuestruar dhe rrjetin pas saj. Lajmi u transmetua nga Top Channel.

