Transferimi i Fisnik Asllanit te RB Leipzig u anulua në momentet e fundit, pasi sulmuesi nuk kaloi kontrollet mjekësore të kërkuara nga klubi gjerman. Kalimi ishte pothuajse i mbyllur: Leipzig ishte gati të aktivizonte klauzolën prej 25 milionë eurosh në kontratën e Asllanit me Hoffenheim-in, dhe lojtari pritej të firmoste një marrëveshje deri në vitin 2031. Në pritje të finalizimit të transferimit, Asllani kishte munguar në disa seanca stërvitore dhe ndeshje përgatitore të Hoffenheim-it, por gjithçka ndryshoi të premten në mbrëmje.
Hoffenheim konfirmoi se kishte pasur negociata me RB Leipzig, por marrëveshja nuk do të realizohet për shkak të shqetësimeve të ngritura nga Leipzig gjatë kontrolleve mjekësore. Drejtuesit e Hoffenheim-it dalin në mbështetje të futbollistit; drejtori i përgjithshëm Andreas Schicker u shpreh se dështimi i transferimit “nuk është aspak lajm i keq për ne nga ana sportive” dhe shtoi se “është krejtësisht e qartë se Fisniku mund të performojë fizikisht dhe sportivisht në nivelin më të lartë”. Schicker gjithashtu deklaroi se klubi do të qëndrojë pranë lojtarit: “Ne qëndrojmë pranë lojtarit tonë. Fisniku ka kontribuar në mënyrë vendimtare në suksesin tonë sezonin e kaluar, e ka kryer normalisht përgatitjen dhe nga java e ardhshme rikthehet të stërvitet me ekipin”.
RB Leipzig deri tani nuk ka dhënë koment publik mbi arsyet konkrete që çuan në dështimin e transferimit. Asllani, 23 vjeç, i lindur në Berlin dhe me origjinë nga Kosova, zhvilloi një sezon të fortë me Hoffenheim-in, duke regjistruar 21 kontribute direkte në gola (gola dhe asistime) në 35 ndeshje zyrtare, dhe u bë një nga emrat më të kërkuar në tregun gjerman. Interes për të kishin shfaqur edhe klube të tjera të Bundesligës.
Pas dështimit të marrëveshjes, Asllani pritet të rikthehet te Hoffenheim-i dhe mbetet për t’u parë nëse RB Leipzig do të kthehet në merkato për të gjetur një tjetër sulmues apo do të vazhdojë sezonin me alternativat aktuale.

