Ish-i dashuri i Aurora Tilës ka pranuar gjatë procesit të apelit se ai shkaktoi vdekjen e 13-vjeçares, duke e hedhur nga ballkoni i një pallati në Piacenza më 25 tetor 2024. Në shkallën e parë të gjykimit, i riu ishte gjykuar nga Gjykata për të Mitur dhe kishte marrë 17 vite burg; gjatë apelimit ai ndryshoi versionin, kërkoi falje për veprimin dhe për vonesën në pranim të përgjegjësisë. Avokati Emilio Malaspina, përfaqësues i nënës së viktimës, tha se “Me rrëfimin e tij mbyllet një rreth” dhe shprehu shpresën që gjykata e apelit do të konfirmojë vendimin e shkallës së parë. Procesi u shty për në 10 shtator, kur pritet vendimi i Gjykatës së Apelit; avokati i familjes tha se rrëfimi erdhi shumë vonë dhe nuk duhet të ndikojë në uljen e dënimit.
Ngjarja ndodhi kur Aurora ra nga kati i shtatë i pallatit ku banonte. Në momentin e ngjarjes pranë saj ishte një djalë 15-vjeçar që fillimisht mohoi përfshirjen dhe pretendoi se bëhej fjalë për vetëvrasje. Hetuesit ngritën dyshime që në fillim. Sipas akuzës, mes të dyve kishte qenë një lidhje disa mujore që ishte përfunduar, ndërsa i riu ishte bërë më kontrollues ndaj vajzës. Aurora kishte treguar për shoqet për ndjekje dhe presione, dhe kishte kërkuar ndihmë nga inteligjenca artificiale për të kuptuar dallimin mes një marrëdhënieje të shëndetshme dhe një lidhjeje toksike. Një dëshmitar deklaroi se e pa 13-vjeçaren të kapur pas parmakut të ballkonit, ndërsa ish-i saj e godiste në duar, duke bërë që ajo të binte.
Ngjarja shkaktoi një reagim të gjerë në Itali, me qindra persona, kryesisht të rinj, që dolën në protesta duke kërkuar fundin e dhunës ndaj grave. Në gjykimin e shkallës së parë i riu u shpall fajtor për vrasje të rënduar; u njohën rrethanat rënduese, përfshirë përndjekjen. Prokuroria kishte kërkuar 20 vjet e 8 muaj burg, por pas procedurës së shkurtuar gjykata vendosi 17 vite. Mbrojtja ka apeluar vendimin, ndërsa Aurora Tila mbetet një nga viktimat më të reja të femicidit të regjistruara në Itali.

