Trajneri i Shqipërisë, Rolando Maran, u shfaq i zhgënjyer pas humbjes 2-1 në Helsinki ndaj Finlandës, duke theksuar se kombëtarja meritonte më shumë nga kjo përballje. Ai vlerësoi paraqitjen e skuadrës, sidomos reagimin pas kartonit të kuq të Etrit Berishës, dhe nënvizoi se dy golat e pësuar ishin nga goditje dënimi. Maran theksoi se skuadra krijoi më shumë raste se kundërshtari dhe pati një penallti të anuluar në favor të Shqipërisë, çka e bën kthimin pa pikë të dhimbshëm: “Është keqardhje shumë e madhe që të kthehemi në Tiranë pa asnjë rezultat pozitiv. Kemi luajtur duke merituar fitoren. Na u anulua edhe një penallti në favorin tonë. Është e dhimbshme që të kthehesh me zero pikë.”
Trajneri vlerësoi se në atë moment të ndeshjes të gjithë lojtarët po luanin mirë dhe se çdo zëvendësim do të ishte gabim, prandaj u vendos që të hiqej Hoxha, pasi nuk mund të zëvendësoheshin mbrojtësit. Ai pranoi se gabimet ndodhin, por e konsideroi si pikë pozitive faktin që skuadra tregoi “zemër të madhe” dhe reagoi mirë pas vështirësive: “Gabimet ndodhin në një ndeshje. Besoj se skuadra ka bërë shumë mirë dhe kjo është gjëja më pozitive. Skuadra ka treguar zemër të madhe dhe ky është hapi i parë që të mund të vazhdojmë më lart. I jap komplimente skuadrës.”
Maran foli edhe për elementin e konkurrencës brenda ekipit, duke thënë se të kesh shumë opsione është një lajm i mirë dhe duke përmendur punën dhe reagimin pozitiv të lojtarëve si bazë për qasjen ndaj ndeshjeve të ardhshme: “Shpresoj që të kem gjithmonë të tilla vështirësi. Kur kombëtarja ka shumë opsione, është një element i mirë. Dua të shtoj edhe elementin e punës që kanë bërë këta lojtarë. Kanë pasur reagim pozitiv dhe kjo më jep një qasje të pastër për ndeshjet e radhës.”
Sipas tij, përveç kartonit dhe golave nga goditjet e dënimit, portierët nuk ishin të rrezikuar dhe skuadra pati shumë raste të pastra, duke përfshirë edhe 10 gjuajtje në portë gjatë ndeshjes.

