Finalizohet operacioni policor i koduar “Enigma” për zbardhjen e një ngjarjeje kriminale në fshatin Fushë Mamurras, Kurbin. Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë mori informacione operative se më 30.04.2026 një 85-vjeçare kishte ndërruar jetë, ngjarje që fillimisht ishte paraqitur si vdekje natyrale pa u raportuar në Polici. Nga verifikimet dhe veprimet hetimore të nisura në bashkëpunim me Prokurorinë, u konstatua se viktima D. Sh., 85 vjeçe, kishte humbur jetën pas goditjeve me mjet prerës (thikë).
Si autore e dyshuar e ngjarjes rezulton vajza e saj, shtetasja V. Sh., 57 vjeçe, e cila jetonte në të njëjtën banesë me viktimën dhe, sipas materialeve hetimore, vuante nga probleme të shëndetit mendor. Në vijim të veprimeve hetimore u bë ndalimi i V. Sh., banuese në Fushë-Mamurras, e dyshuar për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”. Si provë materiale është sekuestruar mjeti prerës (thikë) dhe prova të tjera që lidhen me ngjarjen.
Po ashtu, është proceduar penalisht edhe një mjeke, shtetasja A. Ll., e cila kishte plotësuar aktin e vdekjes duke e cilësuar atë si vdekje natyrale dhe nuk e ka raportuar rastin në Policinë e Shtetit. Materialet procedurale ndaj mjekes janë referuar në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ngriti një grup të posaçëm hetimor dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë, nisi menjëherë veprimet verifikuese dhe hetimore që çuan në zbardhjen e ngjarjes dhe në arrestimin e të dyshuarës. Në bashkëpunim me Prokurorin vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe për identifikimin e çdo personi tjetër të mundshëm të përfshirë, me qëllim vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Top Channel.

