Detaje të reja lidhur me arrestimin e Qemal Berhamit, 74-vjeçarit të ndaluar si i dyshuar për shkaktimin e zjarrit në Krujë që rrezikoi banesat dhe bizneset në disa lagje të qytetit, tregojnë se Prokuroria ka urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm, duke konsideruar ndalimin si të paligjshëm. Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, në fashikujt e Prokurorisë theksohet se nuk ekzistojnë prova që e implikojnë të moshuarin në shkaktimin e zjarrit dhe se ndalimi është kryer pa njoftuar paraprakisht organin e akuzës.
Kur shërbimet e policisë shkuan në vendngjarje, Berhami u gjet duke fikur zjarrin. Në dëshminë e tij përpara policisë, ai deklaroi se nuk kishte shkaktuar zjarrin dhe se ndodhej pranë zonës, në një lëndinë që nuk ishte tokë në pronësi të tij. Prokuroria vlerëson se të dhënat e mbledhura deri më tani janë kontradiktore dhe nuk kanë ofruar elemente që të lidhin të moshuarin me zjarrvënien. Në dokumentet zyrtare po ashtu përmendet se Berhami ka qenë bashkëpunues me autoritetet gjatë procedurave.
Pavarësisht vendimit për lirimin e 74-vjeçarit, hetimet për zjarret në Krujë vazhdojnë. Autoritetet deklarojnë se po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe për përcaktimin e përgjegjësive lidhur me incidentin që rrezikoi banesat dhe bizneset në disa lagje të qytetit.

