Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka proceduar katër punonjës të Policisë së Shtetit për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, lidhur me rastin e ndërtimit pa leje të një objekti pesëkatësh në Himarë, i cili u shemb nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT). Nga hetimet e deritanishme rezulton se në ngjarje është përfshirë zinxhiri komandues i strukturave policore të Komisariatit të Policisë Himarë. Veprimet e para procedurale pas shembjes u kryen nga Policia e Shtetit, e cila arrestoi në flagrancë poseduesin e ndërtesës.
AMP njofton se ndaj katër punonjësve po procedohet për shkelje të nenit 248 të Kodit Penal. Dy prej tyre janë ndaluar, ndërsa dy të tjerët janë shpallur në kërkim. Emrat dhe pozicionet e përfshirë janë: Emiljano Prenga, aktualisht Shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Divjakë, më parë Shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Himarë, i ndaluar; Klodian Petani, Specialist i Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, më parë Specialist i Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë, i ndaluar; Ferit Merkaj, Shef i Seksionit të Trafiqeve në DVP Vlorë, më parë Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, i shpallur në kërkim; dhe Redin Çaushaj, me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Himarë, i shpallur në kërkim.
Sipas njoftimit, në vijim të veprimeve procedurale dy prej personave të shpallur në kërkim janë paraqitur vullnetarisht dhe janë ndaluar me iniciativë. Dy punonjësit e tjerë nuk janë marrë në banesat e tyre dhe, pavarësisht njoftimeve, ende nuk janë paraqitur pranë strukturave përkatëse. Për ta janë kryer procedurat për shpalljen në kërkim.
AMP thekson se vijon me veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të përgjegjësive ligjore dhe zbardhjen e rrethanave të rastit, duke ndjekur zinxhirin komandues apo çdo tjetër përfshirje të strukturave policore lidhur me ngjarjen.

