Mbrëmjen e djeshme dy të rinj shkuan në një prej lokaleve në Strasburg ku po qëndronin disa deputetë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, për t’u kërkuar llogari lidhur me protestat që po zhvilloheshin në Tiranë. Ndër deputetët e pranishëm ishte edhe Taulant Balla, i cili ndodhej në qytetin francez për pjesëmarrje në një mbledhje të përbashkët me Parlamentin Europian. Të rinjtë filmuan skenën dhe iu drejtuan deputetëve me pyetje dhe akuza, ndër të cilat dëgjohej: “Po lozni letra, po kënaqeni? Keni dëgjuar që po bëhet protestë në Shqipëri? Si nuk iu vjen turp”.
Përballë tyre, deputetët e Partisë Socialiste nuk u përgjigjën dhe vazhduan bisedat, duke shmangur reagimin ndaj pyetjeve të të rinjve.
Pas incidentit, Taulant Balla publikoi një postim në faqen e tij në Facebook, ku i cilësoi protestuesit si “sorrat e Berishës”. Në të, Balla shkruante mes të tjerash: “Ja dhe dy sorra që na i çoi Saliu tek hoteli në Strasburg. Jam i sigurt që nesër do postojnë një video si na pritën ne me protesta. Pse po pini birra ishte sulmi . Kanë ndryshuar kohërat, dikur çonte Sali Lushën për sulme fizike”.
Ngjarja u raportua nga Top Channel.

