Dy oficerë të policisë së burgjeve humbën jetën brenda institucionit 313, njëri pas tjetrit. I pari ishte Zog Muhametaj, 62 vjeç, lindur dhe banues në Tropojë. Muhametaj kishte nisur punë në sistemin e burgjeve në vitin 2015 dhe në vitin 2023 ishte transferuar në burgun “Jordan Misja” në Tiranë, ku shërbente si specialist informacioni me gradën Komisar. Rreth orës 21:36, gjatë kohës kur po bëhej ndërrimi i turnit, ai po kryente instruktazhin e stafit që do merrte shërbimin kur, sipas dëshmitarëve, i ra të fikët. Mjekja dhe infermierja e IEVP u thirrën brenda tre minutave dhe konstatuan se ai ishte pa puls, pra pa shenja jete. Muhametaj u dërgua urgjent me autoambulancë në Spitalin Ushtarak, i shoqëruar edhe nga infermieria e burgut. Në spital u tentua kthimi i tij në jetë, por përpjekjet rezultuan të pasuksesshme dhe ai ndërroi jetë. Në institucion janë dokumentuar me anë të kamerave të gjitha veprimet e stafit në IEVP gjatë ngjarjes.
Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore për rastin, raporton gazetarja Anila Hoxha e Top Channel, u regjistrua një rast i dytë fatal. Pëllumb Vrana, 62 vjeç, teknik i kamerave dhe banues në Tiranë, rreth orës 24:00 ndodhej në zyrën e Drejtorit të institucionit bashkë me Drejtorin e Policisë, Shefin e Sektorit të SHKB dhe Shefin e Sektorit të Kamerave në Drejtorinë e Policisë, duke shqyrtuar pamjet e kamerave. Në një moment Vrana i ra të fikët. Të pranishmit dhe infermierja e institucionit i dhanë menjëherë ndihmën e parë; pasi i erdhi pulsi, ai u dërgua me ambulancën e institucionit në Urgjencën e QSUT. Në Urgjencë, rreth orës 01:00, Vrana humbi jetën.
Lajmi raportohet nga Top Channel.

