Dy adoleshente në SHBA u bllokuan përmbys në një park argëtimi për rreth 25 minuta, në një lartësi prej 30 metrash, dhe dy vjet më pas morën kompensim prej 550,000 dollarësh pas një procesi gjyqësor. Ngjarja ndodhi më 14 qershor 2024 në Oaks Park, në juglindje të Portlandit, Oregon, kur karroca AtmosFEAR, që rrotullohet 360 gradë, u ndal papritur ndërsa ishte në funksion. Viktimat janë Chitlali Gomez-Salais, atëherë 13 vjeçe, dhe Evie Yanota, 14 vjeçe, të cilat po festonin fundin e vitit shkollor.
Dy vajzat mbetën pezull me kokën poshtë ndërsa prisnin shpëtimtarët. Pas gjyqit, gjykata vendosi t’u japë secilës nga ato 275,000 dollarë. Gjatë dëshmisë, ato përshkruan dhimbje të forta koke nga grumbullimi i gjakut në kokë dhe panë pasagjerë të tjerë duke vjellë nga frika dhe presioni i situatës. Evie tha: “Mendova se ndoshta nuk na kishte mbetur shumë kohë”, ndërsa Xitlali Gomez-Salais deklaroi: “Nuk doja që njerëzit të më shihnin të vdisja.”
Pasojat psikologjike dhe fizike u përmendën në gjyq: Xitlali pretendoi se pësoi ankth, mori antidepresivë dhe zhvilloi frikë nga ashensorët dhe udhëtimet ajrore. Evie, një kampione koreane e arteve marciale, tha se dëmtimet e saj e detyruan të ndalonte përkohësisht aktivitetet garuese. Të dyja, që tani janë 16 vjeçe, morën mbështetje psikologjike. Avokatët e kompanive kundërshtuan se efektet nuk qenë afatgjata dhe theksuan se vajzat vazhduan jetën e tyre; u raportua se Evie u rikthye në artet marciale dhe fitoi tituj kombëtarë.
Rreth 30 persona ishin në karrocë gjatë incidentit. Nëntë ngritën padi; shtatë prej tyre u pajtuan jashtë gjykatës për shuma të pazbuluara. Dy adoleshentet ishin të vetmet që vazhduan procesin ligjor, duke kërkuar fillimisht 2 milion dollarë ndaj Oaks Park dhe kompanisë italiane Zamperla, ndërtuese e karrocës. Të dyja palët pranuan përgjegjësi për mosfunksionimin, duke thënë se karroca nuk duhej të kishte kryer rrotullim të plotë 360 gradë për shkak të shpërndarjes së pabarabartë të peshës së pasagjerëve. Pas vendimit, Oaks Park deklaroi se “siguria është përparësia jonë absolute” dhe se do të bashkëpunojë me prodhuesit dhe rregullatorët për të garantuar mbrojtjen e vizitorëve.

