Dy operacione policore u finalizuan në qarkun e Korçës për goditjen e veprimtarisë së dhënies së ndihmës, kundrejt fitimit, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit nga emigrantët që vijnë nga vendet e treta. Operacionet, të koduara “Route 2” dhe “Qatromi”, çuan në arrestimin e dy shtetasve 21-vjeçarë dhe kapjen e 11 emigrantëve në dy ngjarje të ndara.
Operacioni “Route 2”, i zhvilluar nga shërbimet e Policisë Kufitare të DVKM Korçë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr. 6 Tiranë, solli ndalimin e shtetasit M. Sh., 21 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas u konstatua në fshatin Tren, Devoll, brenda automjetit ku ndodheshin 5 shtetas nga vendet e treta. Ai nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar dhe, gjatë ndjekjes në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në fshatin Gurishtë braktisi automjetin dhe u përpoq të largohej. Pas disa orësh kërkimesh, 21-vjeçari u kap nga shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 6 Tiranë.
Operacioni i koduar “Qatromi”, i zhvilluar si rezultat i një hetimi disa ditor dhe me metoda proaktive nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme pranë DVP Korçë, në bashkëpunim me F. P. “Shqiponja” dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, përfundoi me arrestimin në flagrancë të shtetasit S. D., 21 vjeç, banues në fshatin Libonik, Maliq. Hetimet treguan se ky shtetas ndihmonte shtetas të huaj të strehoheshin në një ndërtesë të braktisur në fshatin Qatrom, Korçë, dhe më pas i transportonte me automjet drejt Tiranës kundrejt vlerës monetare. Në momentin e konstaltimit ai nuk iu bind urdhrit të Policisë dhe tentoi të braktiste automjetin, brenda të cilit u kapën 6 emigrantë; S. D. u kap disa metra larg automjetit.
Në të dy rastet, të arrestuarit dyshohen se po transportonin emigrantët drejt Tiranës kundrejt pagesës dhe tentuan t’u largoheshin shërbimeve të Policisë. Materialet procedurale për të dy operacionet u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

