Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, zhvilloi një takim me trupën e arbitrave dhe asistentëve të Kategorisë së Parë në prag të nisjes së sezonit të ri, në prani të Drejtorit të Departamentit të Arbitrimit, Bernardino González Vázquez, dhe kreut të Bashkimit të Arbitrave, Tahir Kastrati. Në fjalën e tij Duka përcolli mesazhe të qarta mbi standardet, profesionalizmin dhe zbatimin e rregulloreve të reja që do të aplikohen këtë kampionat.
Ai theksoi rol vendimtar të kryesorit të ndeshjes, duke nënvizuar se përgjegjësia kryesore bie mbi arbitrin pavarësisht nivelit të garës. “Ai që komandon fushën është arbitri. Përgjegjësinë për çdo gabim e ka ai, ndërsa të gjithë të tjerët janë aksesorë për ta ndihmuar. Nuk ka rëndësi nëse arbitroni në Superiore apo në nivel amator; ndeshja është garë dhe edukim, ndaj duhet të jepni maksimumin,” deklaroi Duka.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua aplikimit të rregullave të reja, për të cilat presidenti i FSHF-së kërkoi që të mos nënvlerësohen në asnjë moment, duke theksuar se “një rregull i parespektuar është më i keq se një rregull i pavënë”. Ai u bëri thirrje arbitrit për frymë grupi brenda trupës, duke krahasuar institucionin e arbitrave me një skuadër futbolli ku suksesi varet nga mbështetja e ndërsjellë.
Duka gjithashtu dha paralajmërime për praktikat disiplinore, duke shprehur qartësi mbi qasjen me tolerancë zero ndaj shkeljeve për të mbrojtur integritetin e institucionit të arbitrimit. “Dënime publike për arsye teknike nuk do të ketë, përveç atyre disiplinore siç e parashikon rregullorja. Por pezullime afatgjata apo të përhershme, padyshim që do të ketë. Ai që gabon nuk ka pse ta bëjë të gjithë trupën të vuajë,” përfundoi ai.
Në mbyllje Duka i uroi trupës një edicion të mbarë dhe me sa më pak gabime, duke riafirmuar kërkesën për profesionalizëm dhe përkushtim në zbatimin e rregullave të reja gjatë sezonit.

