LONDËR- Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka mbajtur fjalën e saj përmes një lidhje me video në Samitin e Sigurisë Kufitare që po zhvillohet në Londër. Meloni u shpreh se emigracioni i paligjshëm është një fenomen global, i cili ka prekur edhe Evropën, brenda dhe jashtë kufijve të BE-së.
Kryeministrja italiane tha më tej se vendet nuk duhet të kenë frikë në ndërtimin e zgjidhjeve të reja për ndalimin e emigracionit të paligjshëm. Shembull të këtyre zgjidhjeve ajo mori marrëveshjen Itali-Shqipëri dhe ndërtimin e qendrave të riatdhesimit, për të cilat tha se ishte shpërblimi për guximin e italianëve në çuarjen përpara të kësaj ideje.
“Ne jemi dakord me Keir se siguria kufitare varet gjithashtu dhe mbi të gjitha nga menaxhimi i flukseve migratore dhe lufta kundër emigracionit masiv të paligjshëm. Fenomeni global, i cili prek veçanërisht Evropën, brenda dhe jashtë kufijve të BE-së.
Kjo është arsyeja pse qeveritë tona kanë punuar prej kohësh së bashku për të mposhtur organizatat kriminale që përfitojnë nga dëshpërimi dhe dëshira legjitime e njerëzve për kushte më të mira jetese.
Ne gjithashtu pajtohemi me Keir se ne nuk duhet të kemi frikë të imagjinojmë dhe ndërtojmë zgjidhje novatore, si ajo e nisur nga Italia me Shqipërinë, krijimin e qendrave të riatdhesimit në vendet e treta, kjo do të thotë se ne kishim të drejtë dhe se guximi për të udhëhequr rrugën është shpërblyer.”, tha Meloni.
Ndërkohë Komisioni Europian i ka dhënë miratimin paraprak idesë se Melonit për transformimin e qendrave në Shëngjin dhe Gjadë në qendra të ndalimit të riatdhesimit (CPR), ku emigrantët që kanë marrë urdhra dëbimi do të transferohen ndërsa presin riatdhesimin e tyre aktual. Në pritje të vendimit të Gjykatës së BE-së për vendet e sigurta dhe pa hequr dorë nga projekti i një nyje për procedurën e përshpejtuar të kufirit, qeveria italiane ka synuar të vërë në funksion menjëherë qendrat e krijuara pas marrëveshjes mes Romës dhe Tiranës, më 6 nëntor të 2023. Një zëdhënës i Komisionit është shprehur se kjo ide është në përputhje me ligjet evropiane.