Një raport i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS) në Londër alarmon se Rusia ka zhvilluar një fushatë sistematike spiunazhi ajror në Evropë, duke përdorur dronë për të mbledhur informacione mbi baza ushtarake, aeroporte, porte dhe infrastrukturë kritike. Analiza bazohet në të dhëna të organizatës amerikane ACLED dhe raportime mediatike ndërkombëtare, dhe vlerëson se është “shumë e mundshme” që Moska të ketë operuar dronë mbikëqyrës mbi 13 vende evropiane.
Nga gushti 2024 deri në shkurt 2026 janë regjistruar 144 incidente ku dronët dyshohet se kanë fluturuar mbi objekte strategjike për mbledhje informacioni ushtarak dhe civil. Midis objektivave të dyshuara përmenden baza amerikane Ramstein në Gjermani, bazat ajrore gjermane në Ingolstadt-Manching dhe Neuburg, aeroplanmbajtësja franceze Charles de Gaulle dhe baza e nëndetëseve bërthamore në Île Longue, në Bretanjë. Sipas raportit, 48% e fluturimeve kishin në shënjestër objekte ushtarake, 18% aeroporte civile dhe 26% porte, fusha ajrore, termocentrale dhe zona industriale.
Gjermania rezulton vendi më i prekur me 58 raste të raportuara, ndjekur nga Belgjika me 25, Danimarka me 16, Holanda me 9 dhe Franca me 8. Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia kanë regjistruar nga shtatë incidente secila. Në listë përfshihen edhe Republika Çeke, Finlanda, Spanja, Irlanda, Polonia dhe Suedia; raporti nuk evidenton raste në Itali.
IISS thotë se dronët janë lëshuar nga anijet e ashtuquajtura “flotë në hije” e Rusisë, që operon në Detin Baltik, Detin e Veriut, Kanalin Anglez dhe Oqeanin Atlantik. Këto anije, të përdorura për transport nafte, dyshohet se funksionojnë edhe si platforma lëvizëse për nisjen e dronëve spiunë.
Raporti nxjerr në pah dobësitë e sistemeve aktuale të mbrojtjes ajrore në Evropë: dronët që fluturojnë në lartësi të ulët mund t’u shmangen radarëve, ndërsa neutralizimi me raketa të kushtueshme konsiderohet joefikas. Përballë këtij kërcënimi, Bashkimi Evropian ka nisur “Nismën Evropiane të Mbrojtjes nga Dronët” ose “Murin e Dronëve”, që synon të jetë funksionale deri në fund të vitit 2026. Raporti thekson nevojën për një strategji të përbashkët të NATO-s dhe BE-së, përfshirë investime më të mëdha në teknologjitë kundër dronëve, forcimin e industrisë së mbrojtjes dhe koordinimin më të mirë të sistemeve të paralajmërimit në Evropë.

