Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, strukturat e Doganave dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, finalizoi operacionin policor të koduar “Anchor”. Operacioni është rezultat i një hetimi të thelluar dhe i përdorimit të metodave speciale të hetimit, në kuadër të një procedimi penal.
Si rezultat i veprimeve hetimore u dokumentua një skemë e dyshuar e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Në Portin e Durrësit u sekuestruan 127 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e njohur në treg si “Gelato”, me peshë totale rreth 80 kilogramë dhe me përmbajtje të lartë THC. Në aksion u sekuestruan gjithashtu tre automjete, pesë aparate celularë dhe rreth 11 000 euro para në dorë. Vlera e lëndës së sekuestruar përllogaritet në treg në rreth 1 milion euro.
Nga hetimet dyshohet se lënda narkotike ishte siguruar në Ontario, Kanada, dhe transportohej drejt Shqipërisë e fshehur në një vend të posaçëm të modifikuar në një automjet të porositur për blerje në Kanada. Më tej dyshohet se pas mbërritjes në Shqipëri ajo shpërndahej në territorin e Shqipërisë dhe të Kosovës. Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se personat e përfshirë kishin role të përcaktuara në sigurimin, fshehjen, transportimin dhe shpërndarjen e lëndës droge nga Kanadaja drejt Shqipërisë dhe më tej drejt Kosovës.
Në vijim të operacionit u lokalizuan dhe arrestuan tre shtetas: T. D., 32 vjeç; L. G., 26 vjeç; dhe B. J., 40 vjeç, të tre shtetas kosovarë. Ata janë arrestuar si të dyshuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal. Po ashtu, në kuadër të procedimit penal janë shpallur në kërkim H. C., lindur dhe banues në Kukës, dhe G. O., lindur në Kosovë dhe banues në Ontario, Kanada, të dyshuar për të njëjtën vepër penale.
Operacioni “Anchor” rezulton nga bashkëpunimi ndërmjet strukturave policore, autoriteteve doganore dhe Prokurorisë. Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në koordinim me Prokurorinë, vijon veprimet hetimore për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar, ndërsa materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

