Një familje shqiptare u dënua me burg në Britani për përfshirjen në një rrjet të organizuar të shpërndarjes së kokainës që vepronte përmes WhatsApp-it. Në Manchester Crown Court, Rezart Balesi, 44 vjeç, i konsideruar nga gjykata figura kryesore, mori 7 vite e 6 muaj burg. Djali i tij, Joshua Balesi, 22 vjeç, u dënua me 4 vite, ndërsa vëllai i Rezartit, Refail Balesi, 39 vjeç, mori 5 vite e 3 muaj burg. Vendimi erdhi pas një hetimi të gjatë nga North West Regional Organised Crime Unit.
Sipas provave të paraqitura në gjykatë, Rezart Balesi përdorte Village Bistro në Vernon Street, Greenmount, Bury, si bazë operacioni. Djali dhe vëllai kontrollonin një linjë telefoni për porositë në WhatsApp, të cilat më pas përcilleshin te shpërndarësit. Mesazhet e zbuluara treguan se grupi funksiononte si një “sipërmarrje tregtare dhe fitimprurëse”, dhe në disa net mund të fitonte deri në 9,000 paund. Prokuroria tha se në disa ditë kryheshin dhjetëra shitje kokaine.
Në hetim u vlerësua se rreth 790 gramë kokainë ishte shpërndarë gjatë një periudhe tre mujore, dhe komunikimet përmendnin blerje të mëdha kokainash me vlerë rreth 36,000 paund. Rrjeti besohet të ketë funksionuar nga maji 2024 deri në mars 2026. Gjykatësja kritikoi Rezart Balesin për përfshirjen e djalit, i cili kur u përfshi ishte 18 vjeç; gjykatësja i tha Rezartit se për këtë veprim “duhet të ketë turp përgjithmonë”.
Në kuadër të të njëjtit hetimi u dënuan edhe persona të tjerë: Fatos Vrenezi, 53 vjeç, me 4 vite burg; Lorenzo Canovi, 48 vjeç, me 37 muaj; Imanuel Lumaj, 30 vjeç, me 3 vite e 9 muaj; dhe Fjoraldo Lukaj, 31 vjeç, me 3 vite e 6 muaj dhe do të përballet me dëbim nga Britania. Antonino Precaj, 33 vjeç, u dënua me 27 muaj për rolin e tij në një komplot tjetër lidhur me kultivimin e kanabisit, ku ishte i përfshirë edhe Joshua Balesi.
Hetimi u drejtua nga North West Regional Organised Crime Unit; inspektori Michael Robinson tha se autoritetet kishin “çmontuar një grup të rëndësishëm të krimit të organizuar”, i cili po shkaktonte dëme në komunitetet lokale. Rezart dhe Refail u deklaruan fajtorë për komplot për shpërndarjen e drogave të kategorisë A, ndërsa Joshua për komplot për shpërndarjen e drogave të kategorive A dhe B.

