TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën ditën e sotme për ish-kreun e Prokurorisë Vlorë Aurel Zarka, në lidhje me përfshirjen e tij në dosjen ‘Toyota Yaris’. Mësohet se SPAK ka kërkuar dënimin me 4 vite dhe 3 muaj burg për Aurel Zarkën.
Zarka akuzohet për ushtrim ndikimi të paligjshëm në tri raste dhe për korrupsion pasiv. Seanca e radhës është caktuar nga Gjykata për më 5 maj, në orën 09:00, ku do të zhvillohet mbrojtja dhe pas kësaj do të shpallet vendimi përfundimtar.
Çfarë është dosja “Toyota Yaris”
Dosja “Toyota Yaris” lidhet me bllokimin e bujshëm të 3.4 milionë eurove në qershor të vitit 2018 në portin e Durrësit, një dosje që u hetua fillimisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për pastrim parash, por pas disa piruetave procedurale u transferua në Prokurorinë e Tiranës dhe u mbyll me akuzën e “mosdeklarimit të të hollave në kufi”.
Kreu i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka akuzohet se në bashkëpunim me oficeren e Policisë Gjyqësore, Eriona Daupaj, avokatin Radovan Çela dhe të afërmin e të pandehurve, Astrit Vladin kanë ushtruar ndikim të paligjshëm dhe veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv për të ndikuar ecurinë e çështjes “Toyota Yaris” dhe lirimin e të pandehurve. Ky zbulim ngre hije të zeza dyshimi mbi një grup prokurorësh dhe gjyqtarësh të Krimeve të Rënda dhe Tiranës, që i hetuan dhe i shqyrtuan këto çështje.