Gjykata e Durrësit ka shpallur moskompetencë për shqyrtimin e kërkesës së mbrojtjes së ish-drejtoreshës së filialit të Postës Shqiptare, Elisabeta Mataj. Mbrojtja kishte paraqitur kërkesë për informacion mbi ecurinë e hetimeve për dy muaj, si dhe për zëvendësimin e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi” me një masë më të lehtë, në varësi të rezultatit të këtij informacioni.
Në seancë nuk ishte i pranishëm prokurori Garment Frëngu. Avokati i Matajt, Ilia Ilia, e konsideroi mungesën e prokurorit si shkelje të ligjit dhe si pengesë për zhvillimin e rregullt të procesit gjyqësor, duke theksuar se seanca nuk mund të zhvillohej pa praninë e prokurorit. Sipas Avokatit, prokurori kishte njoftuar Gjykatën me një shkresë ku kishte shoqëruar aktet, përfshirë vendimin për shpalljen e moskompetencës dhe dërgimin e çështjes në SPAK. Megjithatë, Ilia theksoi se moskompetenca e prokurorit ishte përhapur gojarisht në media pa asnjë akt të njoftuar zyrtarisht, dhe se duhet të verifikohej dejuro nëse SPAK ka regjistruar procedimin.
Gjykata, duke u mjaftuar me shkresën e dorëzuar, mori vendim të ndërmjetëm për shpalljen e moskompetencës dhe kalimin e akteve në Gjykatën e Posaçme Shkallës së Parë kundër krimit dhe korrupsionit. Mbrojtja kundërshtoi këtë veprim, duke argumentuar se pranisë së prokurorit i duhej t’i paraprinte informimi i tyre, në mënyrë që të mbanin qëndrimet përkatëse në seancë.
Si hap të mëtejshëm, avokati deklaroi se mbrojtja do të shkojë në SPAK për të verifikuar nëse Gjykata e Posaçme ka regjistruar çështjen dhe për të parë në çfarë faze ndodhet procedimi. Sipas avokatit, qëndrimi i tyre do të varet nga verifikimi nëse ekziston regjistrimi i çështjes në institucionin përkatës.
Top Channel
