Teksa shprehen të gëzuar dhe falënderojnë njëri-tjetrin në biseda për një aferë prej 6.000 m² në zonën e Dukatit, personazhet e dosjes “Aruba” i kanë vënë syrin edhe Gjirit të Gramës.
Në një prej bisedave, ata flasin për rreth 3 milionë m² prona në këtë gji dhe nisin të projektojnë tjetërsimin e tyre.
Për herë të parë, SPAK dhe Gjykata e Posaçme zbulojnë edhe emrin e një zyrtari publik, i cili është përgjuar teksa komunikon në telefon me persona që janë nën hetim në kuadër të dosjes “Aruba”.
Nga dokumenti i siguruar nga weblajm.com rezulton se në përgjime është kapur edhe kryebashkiaku socialist i Himarës, Vangjel Tavo, i cili gjatë vitit 2024 komunikon me një prej këtyre shtetasve me fjalët: “Unë jam Vangjel Tavo, numrin ma dha Muli.”

Lidhur me këtë bisedë, SPAK shprehet se nuk ka konstatuar elementë të veprës penale, por thekson se: “Evidentohet me interes fakti se shtetasi Vangjel Tavo, kryetari i Bashkisë Himarë, thotë se numrin ia ka dhënë Muli.”. Në përfundim të bisedës, L.B. i thotë Vangjel Tavos se do të kërkojë ta takojë.
Ndërkohë, rezulton se pas kësaj bisede mes Vangjel Tavos dhe Leonard Balës, personat nën hetim nga SPAK flasin mes tyre edhe për një person duke iu referuar si “ai” që do t’u rregullojë punë në Gjirin e Gramës që të marrin tokën, ndërsa SPAK po verifikon veprimet e Vangjel Tavos në këtë çështje./ Skyweb/

