Universiteti Europian i Tiranës zhvilloi për të trembëdhjetin vit radhazi Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “Ditët e Studimeve Shqiptare”, një nga aktivitetet më të konsoliduara të institucionit. E organizuar në bashkëpunim me Panteion University, konferenca mblodhi 98 pedagogë dhe kërkues shkencorë nga 20 vende të botës, duke e kthyer UET në një pikëtakim të rëndësishëm të debatit akademik ndërkombëtar.
Me fokusin te inteligjenca artificiale gjeneruese dhe ndikimi i saj në shoqëri, tema trajtoi mënyrën se si kjo teknologji sfidon mendimin, krijimin dhe organizimin e sistemeve tona. Në total u prezantuan 150 punime shkencore, që sollën perspektiva të reja kërkimore dhe qasje ndërdisiplinore për sfidat dhe mundësitë që paraqet teknologjia për të ardhmen.
Presidenti i UET, Selami Xhepa, vendosi debatin në një kontekst historik dhe ekonomik, duke krahasuar revolucionet industriale me zhvillimet teknologjike të sotme dhe duke theksuar ndryshimet në ritmet e rritjes së produktivitetit. “Statistikat tregojnë se, nëse në revolucionin e parë produktiviteti i punës rritej 3–6% në vit, sot rritet 0.7% dhe ndoshta vetëm për ekonominë më inovative, që është ekonomia amerikane”, u shpreh Xhepa.
Rektorja e UET, Drita Kruja, theksoi se sfida kryesore nuk është vetëm përdorimi i inteligjencës artificiale, por transformimet që ajo sjell në vetë strukturat e sistemeve. “Por se çfarë po ndryshon ajo vërtet në themelet e sistemeve tona dhe mbi të gjitha si duhet t’i përgjigjemi ne si universitete, si institucione dhe si shoqëri”, theksoi Kruja.
Nga një këndvështrim ndërkombëtar, Zv.rektorja e Panteion University, Maria Meng-Papantoni, folën për dimensionin transformues të inteligjencës artificiale në jetën institucionale dhe shoqërore, duke nënvizuar nevojën për reflektim dhe guxim për ndryshim: “Inteligjenca artificiale gjeneruese jo vetëm që sfidon sistemin, por na fton të reflektojmë mbi atë që në atë sistem duhet të ruajmë dhe çfarë duhet të kemi guximin të rimendojmë”.
Përmes paneleve tematike dhe diskutimeve ndërdisiplinore, konferenca prodhoi dokumente të rëndësishme për të adresuar sfidat dhe mundësitë që inteligjenca artificiale gjeneruese sjell për shoqërinë dhe institucionet, duke e vendosur universitetin në qendër të këtij dialogu global mbi të ardhmen.















