Viti i ri shkollor do të nisë më 14 shtator dhe Ministria e Arsimit ka miratuar një udhëzues që i jep përparësi ditës së parë të shkollës si një ditë orientimi, jo për mësim. Qëllimi i kësaj dite është njohja e nxënësve me rregulloren dhe normat e sjelljes në institucionet arsimore. Në çdo klasë nxënësit do të informohen për rregullat e sigurisë, kodin e veshjes, ndalimin e përdorimit të telefonit celular, moslejimin e ushqimeve të pashëndetshme, si dhe nevojën për respekt dhe bashkëjetesë në komunitetin shkollor.
Udhëzuesi thekson se informimi dhe orientimi i nxënësve realizohet nga të gjithë anëtarët e stafit të institucionit arsimor, përfshirë mësuesit e të gjitha lëndëve, mësuesit kujdestarë, shërbimin psiko-social, oficerët e sigurisë dhe punonjësit e tjerë të institucionit. Çdo anëtar i stafit pritet të kontribuojë në përforcimin e njohjes, kuptimit dhe zbatimit të rregullave nga nxënësit.
Në udhëzues është futur edhe një nen i ri për vlerësimin dhe menaxhimin e riskut në shkolla. Zyrat vendore arsimore kanë detyrën të emërojnë koordinatorët e riskut dhe të hartojnë regjistrat e riskut, ku shkollat do të klasifikohen sipas shkallëve të rrezikut. Vlerësimi i riskut do të bëhet përmes dëshmive, anketave dhe vëzhgimeve fizike për çdo institucion, dhe drejtuesit e shkollave duhet të ndërmarrin masa për reduktimin dhe eliminimin e risqeve.
Për risqet që dalin jashtë kompetencës së shkollave, udhëzuesi kërkon koordinim me bashkinë, policinë dhe shërbimet shëndetësore. Si prioritet edhe këtë vit përmendet parandalimi i dhunës, bullizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm; si element i ri i shkruar në udhëzues është vendosja e një bashkëpunimi të ngushtë mes stafit, komunitetit dhe prindërve për të përforcuar masat parandaluese dhe menaxhuese.

