Ka nisur në kryeqytet dita e 23-të e protestës jopartiake. Një pjesë e qytetarëve janë grumbulluar në sheshin “Skënderbej”, ndërsa tjetra është stacionuar para Kryeministrisë, ku po mbahen fjalimet e përditshme.
Një prej folësve para Kryeministrisë përmbledhi kërkesat kryesore të protestuesve: dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë; krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor; dhe ndryshime kushtetuese që garantojnë barazi përballë ligjit, të miratuara me referendum. Ndër ndryshimet e propozuara përmenden ripërpunimi i Kodit Zgjedhor, ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike dhe i atij për organizatat, si dhe kufizimi i ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
Protestuesit kërkuan gjithashtu anulimin e ndryshimeve në ligjin për “Zonat e Mbrojtura” dhe në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”, shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve” dhe heqjen e statusit dhe kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”. Sipas folësit, një kontratë sociale e re midis qytetarëve dhe shtetit do të përpilohet pas konsultimeve me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.
Një protestues iu drejtua ambasadorit amerikan Eric Wendt, duke thënë se protesta është rruga për të rrëzuar një “diktator” që shtyp popullin dhe duke kërkuar ndërhyrjen e tij për parandalimin e incidenteve, teksa deklaroi se janë proamerikanë dhe kanë nevojë për aleatë.
Protestuesit u mblodhën në orën 19:00, siç ishte njoftuar për ndryshimin e orarit. Siç raporton gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, një pjesë e tyre vendosi të qëndrojë 24 orë para Kryeministrisë që prej protestës kombëtare të së shtunës. Tubimi vijon me thirrje si “Rama n’burg, Berisha n’burg”. Protestuesit nisën marshimin dhe kaluan pranë “Fan Zone” në qendër të Tiranës, duke brohoritur “Ne po bëjmë revolucion, s’ka Botëror që na ndalon”. Një folës me megafon njoftoi se nesër në orën 10:00 do të zhvillohet një tjetër kryengritje para Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, me ftesë për solidarizim edhe të sindikatave.

