Gjatë protestës të martën një diplomat i Ambasadës së Austrisë në Tiranë mbeti i lënduar. Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, raporton se bëhet fjalë për Atasheun Policor pranë ambasadës, Adreas Nagy, i cili po kthehej nga puna për në shtëpi kur u godit në kokë nga një prej gurëve të lëshuar nga protestuesit. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00, ndërsa ai po ecte nga Sheshi Skënderbeu në drejtim të Rrugës së Durrësit.
Pas goditjes, Nagy mori ndihmën mjekësore. Kontaktuar nga Top Channel, një zëdhënës i Ministrisë për Europën dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Austrisë konfirmoi se “atasheu i Ministrisë së Brendshme të Austrisë pranë Ambasadës Austriake në Tiranë u plagos dje. Ai kërkoi menjëherë ndihmë mjekësore, mori kujdes shëndetësor të shkëlqyer dhe më pas u largua nga spitali.”
Sipas raportimit, Adreas Nagy mban detyrën e Atasheut Policor në Tiranë që nga tetori i vitit 2024. Lajmi është transmetuar nga Top Channel.

