Një studim i ri i publikuar në revistën shkencore Neurology thekson rëndësinë e një diete të shëndetshme për të moshuarit, duke veçuar dietën mesdhetare dhe atë MIND si të dobishme për ruajtjen e shëndetit të trurit dhe ngadalësimin e plakjes njohëse. Këto dieta përfshijnë perime me gjethe jeshile, peshk, bishtajore dhe vaj ulliri, të cilat ndihmojnë në parandalimin e akumulimit të pllakatave në tru, të cilat janë një shenjë e sëmundjes së Alzheimerit.
Studimi, i kryer nga Rush University, përfshiu 581 pjesëmarrës që kishin dhuruar trurin e tyre për kërkime pas vdekjes dhe kishin plotësuar pyetësorë të detajuar për zakonet e tyre ushqimore për më shumë se 40 vjet. Rezultatet zbuluan se ata që ndiqnin me rigorozitet dietën mesdhetare kishin trurin deri në 18 vite “më të ri” krahasuar me ata që e ndiqnin pak ose aspak. Po ashtu, ata që ndiqnin dietën MIND patën rezultate të mira, edhe pse dallimet ishin më të vogla.
Analizat treguan se konsumimi rregullt i perimeve me gjethe jeshile, të paktën shtatë racione në javë, mund të zgjaste “jetën” e trurit deri në 19 vite në krahasim me ata që konsumonin më pak se një racion në javë. Dieta tradicionale mesdhetare njihet për përfitimet e saj në shëndetin e zemrës dhe rrezikun e goditjes në tru dhe përfshin sasi të larta të frutave, perimeve, fasuleve, arrave dhe drithërave. Në anën tjetër, dieta MIND kombinon elemente nga dieta mesdhetare dhe DASH, duke vënë theks të veçantë në zarzavatet me gjethe dhe manaferrat.
Të dyja dietat janë të pasura me ushqime bimore që përmbajnë lëndë ushqyese dhe përbërës bioaktivë, duke ndihmuar në uljen e inflamacionit dhe mbrojtjen e qelizave të trurit. Sipas studiuesve, këto gjetje forcojnë rëndësinë e një ushqyerjeje të shëndetshme si një faktor kyç në mbrojtjen e trurit dhe reduktimin e rrezikut të demencës.















