Policia ka njoftuar detaje shtesë mbi një ngjarje kriminale në Golem, ku dy net më parë një konflikt në një hotel në zonën e Malit të Robit rrezikoi të përshkallëzohej në një përplasje me armë. Sipas hetimeve paraprake, shkak i incidentit ishte dhunimi i 18-vjeçarit Genti Nela, i cili punonte si kamerier në lokalin e hotelit dhe u sulmua pas një mosmarrëveshjeje për pagesën e punës së kryer.
Për këtë dhunim janë ndaluar Florian Habilaj, 28 vjeç, dhe Enold Dragoti, 20 vjeç, ndërsa Arbër Habilaj, 36 vjeç, është shpallur në kërkim. Një person tjetër i përfshirë, 36 vjeç, është proceduar në gjendje të lirë. Policia thekson se dy të ndaluarit dhe personat e tjerë të përfshirë janë pjesëtarë të familjes së pronarit të hotelit: Florian dhe Arbër Habilaj janë djemtë e pronarit, ndërsa një tjetër prej tyre është dhëndri i tij. Enold Dragoti rezulton të jetë shoku i tyre.
Pas dhunimit, i riu u dërgua në Spitalin e Kavajës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Gjatë veprimeve hetimore, policia mori informacion se xhaxhai i 18-vjeçarit, 47-vjeçari Melison Nela, po shante drejt hotelit i armatosur me qëllim hakmarrje. Forcat e rendit ndërhynë, ndaluan automjetin e tij në afërsi të hotelit dhe gjatë kontrollit gjetën në një çantë shpine një kallashnikov, tre karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë. Melison Nela u arrestua në flagrancë për armë dhe municion.
Hetimet zbuluan gjithashtu se vendngjarja ishte pastruar pas konfliktit: DVR-ja e kamerave të sigurisë ishte hequr dhe kabllot ishin prerë. Policia vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e konfliktit dhe veprimet e secilit prej të përfshirëve. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

