Gazetarja Dorjana Bezat, në emisionin “Top Story”, foli për ngjarjen e Fierit ku tre vajza dhunuan një 17-vjeçare dhe të gjitha veprimet i filmuan me telefon. Bezat bëri të ditur se njëra prej autoreve, 15-vjeçare, është shtruar në një spital psikiatrik dhe kishte një histori prej rreth një viti të denoncimeve dhe sjelljeve të dhunshme.
Sipas Bezat, e mitura kishte denoncuar të atin për dhunë, denoncim pas të cilit i ati ka vuajtur edhe disa muaj burg. Institucionet arsimore dhe, më pas, policia e Fierit kanë regjistruar raporte për sjelljet problematike të vajzës; ajo është përjashtuar nga një shkollë dhe më pas ka ndjekur mësim në një tjetër. Nënë e saj ka kërkuar ndihmë nga institucionet, pa marrë përgjigje, sipas deklaratës së Bezat. Pas denoncimit për dhunë ndaj babait, thuhet se vajza ushtronte dhunë edhe ndaj nënës së saj, dhe më vonë u kërkua shtrimi i saj në psikiatri.
Një ditë më parë, Gjykata e Fierit konfirmoi masat e sigurisë për tri vajzat e dyshuara në këtë rast. Në seancën për verifikimin e masave, gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi “arrest me burg” për 19-vjeçaren Lionela Lamaj, të dyshuar si e përfshirë në ngjarje. Për njërën nga dy 15-vjeçaret u konfirmua masa “arrest në shtëpi”, ndërsa për të miturën tjetër gjykata vendosi “shtrim të përkohshëm në spital psikiatrik”.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik. Bezat theksoi se rasti ka një “histori brenda institucioneve arsimore” dhe në institucione të tjera lokale, duke sjellë në vëmendje denoncimet dhe ndërhyrjet që i paraprinë shtrimit të një prej vajzave në institucionin psikiatrik.

