Pas denoncimit në Fiks Fare nga shqiptaro-amerikania Blinera Kosovrasti se prona e saj në Dibër të Madhe është cenuar nga një ndërtim pa leje mbi tarracën e përbashkët të godinës, ku ajo thotë se ka investuar rreth 500 mijë dollarë, ka nisur një hetim administrativ. Fiks Fare ka dorëzuar një kërkesë për mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në emër të Adrian dhe Blinera Kosovrastit pranë Inspektoratit Shtetëror Administrativ.
Inspektori administrativ shtetëror, Vesna Delkoska, njofton se pas kontrollit të dokumentacionit zyrtar është konstatuar se bartës i së drejtës së pronësisë mbi parcelën dhe i së drejtës së shfrytëzimit të tokës është shoqëria “Marçelo Residence” SHPK Dibër, e cila rezulton po ashtu pronare e objektit ku po kryhet rikonstruksioni. Pronari dhe personi përgjegjës i kësaj shoqërie është Ramis Maçkrelli, i cili figuron edhe si aplikues në procedurën pranë Komunës së Dibrës.
Në momentin e nxjerrjes së vendimit për miratimin e projektit për adaptim dhe rikonstruksion (akti nr. 129/6, datë 18.03.2026), aplikuesi “Marçelo Residence” SHPK Dibër ka qenë bartës i së drejtës së ndërtimit, dhe persona të tjerë nuk mund të përfshiheshin në procedurë, sipas nenit 13 të Ligjit për Ndërtim. Inspektorati thekson se, në bazë të nenit 2 të Ligjit për Inspektimin Administrativ, ai nuk ka kompetencë të vlerësojë ligjshmërinë e akteve të nxjerra nga organet e pushtetit lokal dhe qendror.
Për shkak të këtij kufizimi kompetence, ankesa dhe dokumentacioni i plotë lidhur me vendimin për miratimin e projektit janë dërguar te organi kompetent i shkallës së dytë, Ministria e Transportit, e cila ka kompetencë për të vendosur mbi ligjshmërinë e akteve dhe procedurave. Komuna e Dibrës, ndërkohë, ka nxjerrë Vendimin nr. 10-146/7, datë 07.05.2026, me të cilin është hedhur poshtë kërkesa për përsëritjen e procedurës; ky vendim i është dorëzuar përfaqësuesit ligjor, av. Shaban Shira, më datë 14.05.2026, dhe afati për ushtrimin e mjeteve juridike është aktualisht në rrjedhë.
Përgjigjja zyrtare e Inspektoratit përmban gjithashtu referimin te evidenca nr. 20-623, datë 27.04.2025, dhe konfirmon se inspektimi ka përfshirë shqyrtim të pretendimeve dhe biseda me personat zyrtarë të pranishëm. Inspektori administrativ shtetëror: Vesna Delkoska.

