Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) shpreh zhgënjim dhe shqetësim të thellë pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke rikujtuar respektin për parimet e shtetit të së drejtës, pavarësinë e institucioneve gjyqësore dhe të drejtën e çdo viktime për drejtësi, KASH thekson shqetësimet për kohëzgjatjen e jashtëzakonshme të procesit, paraburgimin shumëvjeçar të të akuzuarve, proporcionalitetin e dënimeve dhe standardet e zbatuara gjatë gjykimit.
Këshilli kërkon që në procesin e apelimit të shqyrtohen me rigorozitet provat, përfundimet juridike dhe mënyra e përcaktimit të përgjegjësisë, duke garantuar të gjitha të drejtat e të dënuarve për një proces të drejtë. KASH thekson se aktgjykimi i shpallur është i shkallës së parë dhe se mjetet juridike nuk janë shteruar. Ai gjithashtu bën thirrje që komuniteti ndërkombëtar të ndjekë me të njëjtin standard edhe përgjegjësit e krimeve të kryera nga forcat shtetërore serbe në Kosovë, duke vënë në dukje se drejtësia nuk mund të jetë e plotë dhe e besueshme nëse shumë prej përgjegjësve për masakrat, dëbimet, dhunën seksuale, shkatërrimet dhe zhdukjet mbeten të pandëshkuar.
Në reagim KASH rikujton se lufta e UÇK-së ishte luftë çlirimtare kundër shtypjes, spastrimit etnik dhe dhunës sistematike të regjimit të Slobodan Millosheviçit, të cilin Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë e ka gjykuar për krimet e kryera. Këshilli nënvizon se krimet e dokumentuara të regjimit të Millosheviçit nuk mund të relativizohen apo barazohen me luftën liridashëse të popullit të Kosovës dhe të udhëheqësve të tij.
KASH shpreh gjithashtu shqetësimin për reagimet brenda Kosovës dhe në diasporë dhe i bën thirrje partnerëve ndërkombëtarë të mbajnë një qëndrim të qartë dhe të balancuar, duke mos i shndërruar respektimin e proceseve gjyqësore në relativizim të agresionit serb apo në rishkrim të historisë. Në fund, Këshilli shpreh solidaritet me popullin e Kosovës dhe familjet e të dënuarve, duke apeluar për qetësi, unitet, dinjitet dhe besim në mjetet juridike.

