Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) njofton se gjatë protestave të ditëve të fundit disa degë bankare dhe ATM janë dëmtuar materialisht, dhe bën thirrje për mbrojtjen e institucioneve financiare si një pasuri të përbashkët të qytetarëve dhe ekonomisë. Për shkak të zhvillimeve në terren dhe masave të sigurisë, shumë banka kanë kufizuar përkohësisht shërbimet, duke operuar me numër të reduktuar degësh dhe/orë të kufizuara, dhe në raste të caktuara nuk ka qenë e mundur ofrimi i shërbimit me kapacitetin dhe standardin e zakonshëm. AAB dhe bankat anëtare kërkojnë mirëkuptimin e klientëve për çdo vështirësi ose vonesë të shkaktuar nga kjo situatë e jashtëzakonshme.
Bankat do të vijojnë aktivitetin sipas kushteve dhe orareve të përcaktuara nga secila prej tyre, duke u bazuar në vlerësimet e sigurisë. Klientët njoftohen të konsultojnë njoftimet zyrtare në faqet e internetit dhe kanalet e komunikimit të bankave përpara se të paraqiten në degë. AAB inkurajon përdorimin e kanaleve bankare digjitale, kur është e mundur, për kryerjen e pagesave, transfertave dhe transaksioneve të tjera në distancë.
Shoqata thekson se dëmet e evidentuara janë materiale dhe veprimet ndaj ambienteve fizike apo pajisjeve nuk cënojnë, në vetvete, depozitat e klientëve dhe funksionimin e sektorit bankar. Bankat vijojnë të zbatojnë masat dhe procedurat për ruajtjen e sigurisë, vazhdimësinë e aktivitetit dhe mbrojtjen e interesave të klientëve. AAB nënvizon se sistemi bankar është një infrastrukturë thelbësore për qytetarët, bizneset dhe ekonominë shqiptare, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik përmes kreditimit të familjeve dhe sipërmarrjeve, lehtësimit të pagesave dhe transaksioneve, punësimit dhe kontributit në të ardhurat e buxhetit të shtetit.
Prandaj, Shoqata apelon që degët e bankave dhe objektet financiare të mos sulmohen dhe bën thirrje për ruajtjen e sistemit bankar si një mirë të përbashkët. Bankat mbeten të angazhuara për vijimësinë e shërbimit normal sa më shpejt që kushtet e sigurisë ta lejojnë, duke përparësuar mbrojtjen e klientëve, punonjësve dhe infrastrukturës bankare.

