Në Policinë e Shtetit do të krijohet një njësi e re me fokus të posaçëm krimet mjedisore, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, gjatë një takimi me drejtuesit vendorë të Policisë së Shtetit në 12 qarqe. Bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Skënder Hita, Lamallari kërkoi një qasje më proaktive për trajtimin e zjarreve, duke theksuar se puna e policisë nuk përfundon kur zjarri fiket, por nis hetimi për arsyet, autorët dhe ekzistencën e veprave penale të mundshme.
Ministri kërkoi që çdo zjarr i dyshimtë të hetohet profesionalisht dhe në bashkëpunim të ngushtë me shërbimin zjarrfikës, Emergjencat Civile, komunitetin, si dhe duke përdorur teknologji dhe ekspertizë forenzike, brenda dhe jashtë vendit. Ai theksoi gjithashtu nevojën për bashkëpunim me Prokurorinë, me qëllim që çdo provë dhe çdo autor i dyshuar të ndiqet deri në fund. Sipas tij, dëmi i shkaktuar nga zjarret këtë vit është i pallogaritshëm, veçanërisht për fondin pyjor, dhe duhet të vlerësohet sa vite e sa gjenerata duhen për rikuperimin e tij.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u shpreh se drejtuesit vendorë duhet të rrisin angazhimin për tre komponentët e sigurisë: sigurinë publike, sigurinë rrugore dhe sigurinë detare. Ai kërkoi reagim në kohë, si në parandalim, ashtu edhe në ndjekjen dinamike dhe profesionale të konflikteve dhe shqetësimeve të qytetarëve.
Hita theksoi se secili komponent i sigurisë kërkon angazhim dhe përgjegjësi, dhe se rezultatet varen nga mënyra se si secili përmbush detyrën. Për performancën, ai nënvizoi se nuk janë vetëm rezultatet në terren, por edhe sjellja ndaj qytetarëve dhe komunikimi me to dhe me median. Qytetarët duhet të ndiejnë praninë e policisë, të marrin përgjigje në kohë dhe të shohin profesionalizëm në çdo situatë. Në përmbyllje, Hita falënderoi stafin për punën dhe angazhimin dhe priti që udhëzimet e dhëna të reflektohen në punën e përditshme.

