Pavarësisht reagimit zyrtar të Bashkimit Europian që mori në mbrojtje ambasadorin e BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, nga sulmet e Sali Berishës, kreu i Partisë Demokratike nuk ka tërhequr deklaratat e tij. Në një konferencë për shtyp, Berisha u pyet për deklaratën e BE-së, e cila një ditë më parë e quajti të papranueshme sulmin personal ndaj Gonzatos dhe e përshkroi ambasadorin si një funksionar që ka vepruar me profesionalizëm dhe integritet të plotë, duke shprehur besimin e plotë tek ai dhe puna e tij.
Berisha u shpreh se ka respekt për Komisionin Europian dhe për përfaqësuesit e vendeve anëtare, por theksoi se qëndrimet e tij mbështeten në dy ose më shumë burime. Ai tha: “Çdo gjë që kam thënë, e kam pasur dhe e kam të bazuar në dy ose më shumë burime. Unë kam respektin më të madh dhe simpatinë më të madhe për Komisionin Europian, për ambasadorët, për përfaqësuesit e vendeve anëtare. Por ska gjë në botë që më pengon të denoncoj atë që e konsideroj të padrejtë dhe nuk kam ndërmend të ndalem në këto komente, por edhe njëherë them dhe të jap një seri shembujsh.”
Në të njëjtën konferencë Berisha theksoi se nuk dëshiron të polemizojë me institucionet europiane: “Nuk kam asnjë dëshirë të polemizoj, sepse kam respektin më të madh për KE-në, por nuk mund të pajtohem me akte të papranueshme. Ndaj dhe i kam denoncuar jo sot, por vite e vite më parë dhe do ti denoncoj ato. Të vërtetat unë nuk mund t’i fsheh”, tha ai, duke konfirmuar se do të vazhdojë të bëjë denoncime sipas bindjeve dhe burimeve të tij.
Reagimi zyrtar i BE-së, i publikuar një ditë më parë, dënoi fuqimisht sulmet personale të bërë në Ditën e Evropës kundër Gonzatos dhe i cilësoi të papranueshme, duke theksuar besimin e plotë të unionit në veprimtarinë e ambasadorit. Teksti i lajmit është shpërndarë nga Top Channel.

