Në shkollën e mesme profesionale “Thoma Papapano” dega e hoteleri-turizmit rrezikon të mos hapet këtë vit për shkak të numrit shumë të ulët të regjistrimeve. Edhe pse afati i regjistrimeve vazhdon deri në fund të shtatorit, deri tani numri i nxënësve është larg minimumit të nevojshëm për të krijuar klasën.
Shkolla pranon nxënës nga Gjirokastra dhe i gjithë rajoni jugor, por këtë vit regjistrimet kanë pësuar rënie të ndjeshme. Të rinjtë që kanë zgjedhur arsimin profesional janë orientuar kryesisht drejt degëve të shërbimit të automjeteve dhe teknologjisë së informacionit, ndërsa degëja e hoteleri-turizmit ka mbetur me shumë pak regjistrime.
Drejtuesja e shkollës lidh mungesën e interesit me perspektivën e paqartë për punësimin e profesionistëve të rinj në sektorin e turizmit. Ajo shikon si një mënyrë për të rritur interesin detyrimin e subjekteve hoteliere dhe njësive të shërbimit për të punësuar staf të kualifikuar, duke krijuar kështu një lidhje më të qartë mes formimit profesional dhe tregut të punës.
Një problem tjetër, sipas drejtueses, është orientimi që bëjnë mësuesit e arsimit 9-vjeçar, duke udhëzuar nxënësit drejt gjimnazeve në vend të shkollave profesionale. Kjo prirje, thotë ajo, kontribuon në uljen e interesit për degët e aftësimit profesional, përfshirë hoteleri-turizmin.
Në një qytet ku turizmi përmendet si një nga sektorët kryesorë të ekonomisë, mungesa e interesit për profesionet e hoteleri-turizmit rrezikon të thellojë mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar. Situata sinjalizon një hendek mes nevojave të tregut lokal të punës dhe zgjedhjeve arsimore të të rinjve, duke vënë në fokus nevojën për nisme që lidhin formimin profesional me perspektivat reale të punësimit.

