Kevin De Bruyne shprehu hapur pakënaqësinë për sezonin e tij të parë te Napoli, duke kritikuar ish-trajnerin Antonio Conte dhe stilin e skuadrës. Për portalin belg nieuwsblad.be, ai tha se marrëdhënia me Conten ishte e ftohtë dhe mungonte kimia mes tyre, si dhe se premtimet për stilin e lojës nuk u mbajtën. “A jam i lumtur që po largohet? Po, për mendimin tim ai nuk duhej të qëndronte fare. Këtë vit kuptova se sa i rëndësishëm është për mua lloji i futbollit që luan një skuadër. Loja duhet të jetë edhe argëtuese, dhe ky aspekt më ka munguar paksa. Vitin e kaluar më bënë disa premtime për stilin e lojës, të cilat nuk u mbajtën, dhe ky është një mëkat i vërtetë”, deklaroi lojtari belg.
De Bruyne nënvizoi se për tëndrueshmërinë e tij në klub do të jenë vendimtare garancitë për stilin e lojës. Ai ka ende një vit kontratë me Napoli, por paralajmëroi se do të flasë me klubin për të përcaktuar të ardhmen e tij: “Kam edhe një vit kontratë, por fillimisht dua të flas me klubin: shumë gjëra do të varen nga lloji i strategjisë që do të përzgjidhet”.
Në diskutim doli edhe ndikimi i strategjisë së Contes në paraqitjet e tij personale. De Bruyne tha se, edhe pas rikthimit nga dëmtimi, ishte në një nivel të mirë, por se vizioni i trajnerit ishte “krejtësisht ndryshe” nga i tij, gjë që e pengoi të luante në pozicionin e tij natyral gjatë sezonit: “Në fillim, por edhe kur u riktheva pas dëmtimit, isha në një nivel të mirë. Natyrisht, ishte e vështirë për mua sepse trajneri ka një vizion futbolli krejtësisht ndryshe nga i imi. Nuk kam luajtur thuajse kurrë në pozicionin tim natyral përgjatë gjithë sezonit”.
De Bruyne kritikoi gjithashtu qasjen taktike të ekipit nën Conten, duke folur për një lojë shumë defensive dhe një baricendër shumë të ulët në fushë. Si shembull ai përmendi se golashënuesi më i mirë i skuadrës shënoi vetëm 10 gola, duke thënë se “numrat flasin vetë…”.
