Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ankesën e njërit prej grabitësve të 4.6 milionë eurove në aeroportin e Rinasit, i cili pretendonte se ishte dënuar për shkak të shprehjes “çfarë tersi, e dija”. Reagimi i Saimir Çelës u regjistrua në një përgjim ambiental në ambientet e paraburgimit ditën kur ai u arrestua. Duke mos e kaluar në seancë plenare, Kushtetuesja vlerëson se biseda e Çelës me të arrestuarin tjetër, Renaldo Sulaj, tregon se ata e dinin shkakun e prangosjes së tyre.
Si prova, Gjykata Kushtetuese përmend 508 telefonata të kryera në atë kohë me dy bashkëpunëtorët e grabitjes në 2019. Po ashtu i rikthehet rrëfimit të të penduarit Alkond Bengasi, i cili ka shpjeguar se plani kriminal u hartua gjatë takimeve të shpeshta. Sipas përshkrimit të tij, organizatorët studiuan lëvizjet e dërgesave monetare, përshtatën makina duke vendosur shkrimin “hetimi tatimor”, gjetën mjetet për të hapur dyert e emergjencës në aeroport dhe siguruan armët e grupit. Grupi i grabitësve ishte i drejtuar nga Admir Murati, i cili u vra gjatë ndjekjes.
Në total, gjykatat kanë dhënë dënime që arrijnë në 122 vite burg për të përfshirët në këtë ngjarje. Përveç Saimir Çelës, Kushtetueses i janë drejtuar edhe dy vëllezërit Klement dhe Eldi Çala me ankesa të tyre. Në një gjykim të veçantë, Talo Çela është dënuar me 18 vite burgim.
Ndërkohë, autoritetet vazhdojnë hetimet dhe dyshojnë se kjo grabitje ka sjellë dhe prodhuar ngjarje të tjera, përfshirë edhe vrasje.

